E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidentja Shiroka-Pula mori pjesë në përkujtimin e Ditës Kombëtare të Austrisë

PRISHTINË, 27 tetor/ATSH/Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë sonte në ceremoninë e përkujtimit të Ditës Kombëtare të Republikës së Austrisë.

Në fjalën e saj, Presidentja Shiroka Pula përcolli urimet më të përzemërta për Republikën e Austrisë dhe qytetarët e saj, duke theksuar miqësinë e qëndrueshme ndërmjet dy vendeve, të ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe paqes.

Presidentja vlerësoi kontributin e Austrisë në periudhat më të vështira të historisë së Kosovës, njohjen e hershme të pavarësisë dhe mbështetjen për shtetndërtimin, forcimin e institucioneve dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.

Ajo theksoi gjithashtu kontributin austriak në ruajtjen e paqes dhe sigurisë përmes pjesëmarrjes në misionin e  KFOR-it, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për aspiratat  euroatlantike të Kosovës.

Presidentja Shiroka Pula shprehu mirënjohjen për Republikën e Austrisë, institucionet dhe qytetarët e saj, duke nënvizuar potencialin për thellimin e bashkëpunimit në arsim, shkencë, kulturë, teknologji, ekonomi dhe inovacion.

Në fund, Presidentja uroi popullin austriak për paqe, mirëqenie dhe prosperitet të vazhdueshëm, ndërsa Republikës së Austrisë i uroi suksese në kontributin e saj për një Evropë paqësore dhe të bashkuar. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›