E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Presidentja e Hungarisë Novák vizitë zyrtare në Shqipëri me 1 qershor e ftuar nga presidenti Begaj

Me ftesë të Presidentit Bajram Begaj, në datat 1 dhe 2 qershor 2023, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri, Presidentja e Hungarisë, Katalin Novák, njoftojnë  burime nga presidenca shqiptare.

Presidentja e Hungarisë do të pritet në Institucionin e Presidentit të Republikës, me nderimet e rastit, më 1 qershor 2023, ora 10:00, për të vijuar më pas me një takim kokë më kokë midis dy presidentëve, një takim të zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare, si dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në qendër të bisedimeve, do të jenë zhvillimi i marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis dy vendeve, bashkëpunimi me Hungarinë në funksion të procesit të integrimit të Shqipërisë, zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe zhvillimet e reja gjeopolitike të ndikuara nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë.

Katalin Novák është zgjedhur presidente në vitin 2022. Ajo është gruaja e parë që mban presidencën e Hungarisë, si dhe presidentja më e re në historinë e vendit e zgjedhur në moshën 44 vjeçare.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›