E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidentja “shkeli” Kushtetutën për Shalën

Presidentja Atifete Jahjaga ka rrezikuar mandatin me rastin e emërimit të Blerim Shalës koordinator të dialogut politik Kosovë-Serbi.

Ekspertë për çështje juridike konsiderojnë se emërimi i Shalës nuk ka mbështetje as ligjore, ndërkohë që anëtarë të Gjykatës Kushtetuese konfirmojnë se “rasti Shala” përbën bazë të mjaftueshme për t”u trajtuar si lëndë e Kushtetutes. Të parët pretendojnë se presidentja nuk e ka pasur parasysh faktin se Shala, si deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk ka të drejtë të pranojë detyra nga ekzekutivi, ndërsa të dytët rezervohen të japin interpretime, nënë arsyetimin se këtë gjë do ta bëjnë vetëm në rast se lënda vjen në Gjykatë. E një lëndë të kësaj natyre në Kushtetuese mund ta ngrenë 30 deputetë ose Avokati i Popullit.

Qëndrim të njëjtë me ekspertët juridikë ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ai ka thënë se Shala është dashur me kohë të përcaktohej se cilin funksion dëshiron ta ushtrojë, pasi e ka pasur të qartë se Kushtetuta nuk i jep të drejtë të ushtrojë detyra ekzekutive.

“Nëse deputeti ushtron detyrë ekzekutive, atëherë duhet të japë dorëheqje nga të qenit deputet. Në këtë kontekst, as emërimi i Shalës nuk mund të mbështetet në Kushtetutë”, ka deklaruar Krasniqi për "Kohën Ditore".

Qeveria e Kosovës më 14 dhjetor ka marrë vendim që koordinatori i dialogut, Blerim Shala, të vendoset me zyrë afër kryeministrit Hashim Thaçi. Rroga e tij do të jetë 1 mijë e 30 euro./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›