Presidentja nuk e ka në plan të japë dorëheqje

Atifete Jahjaga po u reziston skenarëve për rikonfigurimin e skenës politike që ia rrezikojnë pozitën.
Një zyrtar në Presidencë ka thënë për Express se largimi para kohe i Jahjagës mund të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale.
Në PDK pohojnë se plani i Ramush Haradinajt për t’u bërë Kryeministër e Hashim Thaçi President është i vështirë për t’u realizuar. Ndërkaq këto zhvillime zyrtarët e LDK-së po i përqeshin.
Një zyrtar i afërt me Jahjagën, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se pavarësisht përpjekjeve për rikonfigurim të skenës politike, Presidentja nuk e ka në plan të japë dorëheqje dhe as të lëshojë pozitën që e ka fituar në bazë të marrëveshjes PDK-LDK-AKR.
Sipas tij, Jahjaga do të pajtohet për largimin nga Zyra vetëm nëse kompletohet reforma kushtetuese, shpallen zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale dhe bëhet pranim dorëzimi i detyrës, pavarësisht se mandati i saj nuk ka përfunduar.
Sipas këtij zyrtari, në një variant të tillë Presidentja nuk do të kandidojë për të kërkuar votën e qytetarëve, por as nuk do ta çojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar shkurtimin e mandatit./Indeksonline/