"Rasti Shala", LDK e VV se kanë shqyrtuar çuarjen në Kushtetuese

Dy forcat më të mëdha të bllokut opozitar: Lidhja Demokratike e Kosovës edhe Lëvizja Vetëvendosje ende nuk kanë vendosur nëse do të kërkojnë interpretim nga Gjykata Kushtetuese për emërimin e nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, në pozitën e koordinatorit për dialog me Serbinë nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Zyrtarë të këtyre dy subjekteve i kanë thënë “Kohës Ditore” se për veprime të tilla vendosin organet në subjektet respektove.
Mirëpo që presidentja nuk është kompetente për të bërë emërime të tilla e ka thënë anëtari i Kryesisë së LDK-së, Arben Gashi.
Gashi nuk e di se a do ta dërgojë LDK-ja “rastin Shala’ në Kushtetuese apo jo.
“Për këtë çështje duhet të pyetet udhëheqja e partisë, për këtë vendosë Kryesia e partisë”, ka thënë ai.
Në Lëvizjen “Vetëvendosje” nuk kanë dhënë qëndrim lidhur me këtë rast.
Udhëheqësi i Sekretaritait për media në këtë Lëvizje, Erzen Vraniqi, ka thënë se ky subjekt ende nuk e ka diskutuar këtë çështje, ndërsa një gjë e tillë pritet të bëhet sot, kur ka mbledhje të kryesisë./Indeksonline/