Protesta masive të opozitës

Mijëra përkrahës të opozitës maqedonase protestuan mbrëmë para Parlamentit, në shenjë revolte kundër planit të Qeverisë për të miratuar buxhetin 2013.
Opozita ftoi përkrahësit e saj në orët e mbrëmjes për një protestë masive, pasi që Qeveria miratoi projekt – buxhetin 2013, duke përfshirë vetëm një pjesë të propozimeve dhe amendamenteve të opozitës.
Lideri i LSDM-së dhe koalicionit opozitar “Lidhja për të ardhmen”, Branko Cërvenkovski theksoi se protesta është shenjë reagimi për shkak të tentimit të miratimin e dhunshëm të buxheti 2013, raporton Ina.
“Prej sonte hapërojmë për diçka më të shtrenjtë, më me vlerë se buxheti për 2013. Nëse vazhdon kështu, pushteti nesër do të suspendojë edhe Kushtetutën dhe debatin, do të bëj vrasjen e demokracisë para syve tanë, edhe ate në Parlamentin e Maqedonisë. Nëse ata tani do të kalojnë buxhetin në këtë mënyrë, Maqedonia nuk ja vlen të jetë shtet. Ne këtu qëndrojmë dhe nuk bëjmë lëshime më tej”, deklaroi Cërvenkovski para masës së protestuesve.
Sipas tij, Qeveria e ka futur shtetin në borxhe dhe se për çfarë po harxhohen paratë, ku 350 milion euro u hodhën në gur, mermer dhe bronz, për shkak se Gruevski ka vendosur që të shërojë frustrimet e tij, duke ndërtuar përmendore, ndërsa populli duke pësuar.
Lideri i opozitës Cërvenkovski i bëri thirrje qytetarëve që sot në mëngjes saktësisht në ora 8.30 të grumbullohen para Parlamentit për të protestuar kundër siç tha ai rrënimit të demokracisë, Kushtetutës dhe rregullores së Parlamentit, pasi që Qeveria e Nikolla Gruevski sipas tij, po tenton që me forcë të sjellë buxhetin e ri. Deputetët e opozitës prej sonte janë futur në ambientet e Parlamentit, për të bllokuar planet e maxhorancës. Sipas njoftimeve të mediave proqeveritare maqedonase, maxhoranca planifikon që nesër të miratojë buxhetin 2013 në një seancë të thirrur me procedurë të përshpejtuar plenare.
Një pjesë e përkrahësve të opozitës theksuan se do të qëndrojnë para Parlamentit gjatë tërë natës në tenda të improvizuara.
Ndërkohë, derisa opozita ka paralajmëruar nisjen e protestave masive, përkrahësit e Qeverisë së kryeministrit Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO-DPMNE për nesër ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste masive gjithashtu para Parlamentit të Maqedonisë.
Protesta është thirrur në mesditë, kundër thirrjeve të opozitës për të bllokuar sjelljen e këtij buxheti. Protestat e thirrura nga dyja grupimet politike mund të nxisin përleshje dhe tensione në vend./Indeksonline/