Presioni mbi drejtësinë ndëshkon Arben Frrokun dhe familjen e tij
Opinion nga Agron Prebibaj*
Nuk është aspak qëllimi i këtij opinioni për të marrë në mbrojtje biznesmenin Arben Frroku dhe familjen e tij, sikurse mbetet parësore gjetja e autorëve të krimit të vrasjes së komisarit DritanLamaj dhe vënia përpara drejtësisë.
Vrasja e komisarit Lamaj, tronditi opinionin publik shqiptar pasi tashmë humbi besimi te siguria e jetës për secilin qytetar, aq më tepër rritet mosbesimi kur fenomeni shoqërohet me vrasjen e disa komisarëve, çka do të thotë komisarët që drejtojnë sigurinë qytetare nuk kanë siguri për vete.
Tashmë frika, pasiguria, mosbesimi për shtetin janë këmbëkryq në çdo familje shqiptare e me pasoja mjaft të hidhura për të tashmen, jo fort të lehta për tu ndrequr në të ardhmen.
Fenomeni apo precedenti Frroku për drejtësinë shqiptare duhet parë jo vetëm si akuzë, vetëm se i akuzuari ka patur konflikt me komisarin por në tërësi pasi gjetja e autorit të krimit do vinte më shpejt, pra asnjëherë shteti nuk duhet të ndalojë vetem te një person pasi ky veprim ka si tendencë justifikimin e shtetit përballë krimit duke dëmtuar rëndë një individ dhe familjen në punën, jetën dhe në veprimtarinë e tij.
Përse duhej ta vriste komisarin Arben Frroku, një biznesmen i suksesshëm, person pa asnjë precedent penal pasi ai me parë ju kishte drejtuar drejtësisë për konfliktin me komisarin, problem i cili është në dyert e Gjykatës Shqiptare.
Më mirë për këdo do ishte hakmarrja nëpërmjet drejtësisë për më tepër një biznesmen i cili e vlerëson më shumë lirinë, duke e shijuar jetën maksimalisht mirë me të ardhurat e bollshme pra mbetet e paimagjinuar ta shikojë veten prapa hekurave.
Së pari është logjika e thjeshtë për një të pasur i cili nuk e shikon veten kurrë pas hekurave e së dyti mundësitë financiare i kishte për të kompromentuar një prokuror apo gjyqtar për dënim maksimal ndaj komisarit të ndjerë.
Hakmarrja primitive duket e pabesueshme pasi kishte mekanizma të tjerë nëpërmjet drejtësisë (alla-shqiptare) më e besueshme mbetet ndalimi i tij i padrejtë sa për tu justifikuar vetë shteti.
Kjo lë për të dëshiruar për një shtet të lig, shtet i cili dëmton dhe shkatërron individin dhe familjen për të mbajtur frymën edhe disa ditë.
Pa kurrfarë qëllimi të marrë mbrojtjen e Arben Frrokut dhe familjes së tij, qëllimi mbetet fenomeni, pasi akuzat e ngritura të dëshmitarëve kanë rënë, vjedhja e makinës e rënë, deklarimi i personit që ka vjedh makinën, aludimet e ekspertëve kanë rënë. Edhe prokuroret pohojnë se nuk ka prova për Frrokun por nuk mund ta nxjerrin edhe ca kohë, kjo tregon se makina shtetërore është ndryshkur por me pasoja për individin. Gjithashtu edhe mbrojtja disponon të gjitha provat ligjore, qoftë telefonike, filmike se qytetari Frroku nuk ka gisht në këtë krim, madje në momentin e vrasjes ai ndodhej në Elbasan duke udhëtuar për Greqi.
Shqetësuese mbeti fakti përse zgjatet ekstradimi i Arben Frrokut nga Greqia, pasi vendimi nga Gjykata e Lartë e Greqisë është dhënë apo pritet zbardhja e vendimit. Të gjitha këto zgjatje shtetërore tentojnë të fshehin diçka, dikush bën presion mbi drejtësinë tonë të padrejtë.
Sigurisht se ky vend ka burra e gra të drejta në drejtësinë shqiptare, ka ardhur koha tu hapet fryma këtyre, duke zbuluar kriminelin që zgjat dorën mbi komisar por gjithashtu duke lënë të lirë në jetën e tyre qytetarin e pafajshëm.
*Sekretar për mediat në PDK