E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohen mysafirët

Në kuadër të PriFilmFest, të dielën në PriFilmFest Lounge, para Teaterit Kombëtar, u prezantuan aktorët dhe skenaristi dhe producenti i filmit ‘Falja e gjakut’. Po ashtu, në këtë hapësirë, të pranishmit u takuan me Elma Tataragic, selektore për programin garues për filmat e gjatë dhe të shkurtër në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Nga Alfred Beka më 26 shtator 2011 në ora 14:44

Filmi ‘Falja e gjakut’, i cili, të shtunën mbrëma, e shënoi hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit PriFilmFest në Prishtinë dhe i cili po jepet nëpër kinematë shqiptare, si duket po u pëlqen jashtë mase shqiptarëve.

Të pranishmit në kinemanë ABC dhe në Teatrin Kombëtar u entuziazmuan tej mase dhe nuk pushuan duartrokitjet pas shfaqjes së filmit në ekranin e madh. Entuziazmi rritet edhe më shumë kur të merret parasysh fakti se ky film do ta përfaqësojë Shqipërinë në akademinë e çmimeve Oscar.

Filmi me regji të Joshua Marston dhe me skenar të regjisorit Marston dhe skenaristit shqiptar Andamion Murataj, trajton një temë sa aktuale aq edhe të ndjeshme të pjesës veriore të Shqipërisë, fenomenin e gjakmarrjes.

Me këtë rast të dielën në Prishtinë u organizua një konferencë për shtyp ku protagonistët shpalosën ndjenjat dhe entuziazmin e tyre lidhur me sukseset që arriti filmi nëpër festivale botërore.

Të pranishëm qenë aktorët e filmit si dhe producenti dhe skenaristi Andamion Murataj, por mungonte regjisori amerikan, i cili herët në mëngjes ishte larguar nga Kosova.

Producenti dhe skenaristi Andamion Murataj tha me këtë rast se filmi ka pasur një sukses të paparë në Tiranë dhe Shkodër, veçanërisht në vendin e origjinës ku kinematë kanë pasur numrin më të madh të shikuesve që prej 20 viteve të fundit, kështu që, sipas tij, është një rekord nga pikëpamja e audiencës së Shkodrës dhe po pritet shumë mirë në Tiranë dhe do të vazhdojë pas festivalit në Kinemanë e Prishtinës.

“Për herë të parë Shqipëria dhe Kosova janë si një territor distribucioni dhe ajo që është më e rëndësishmja është se luajnë aktorët nga Shqipëria, Maqedonia dhe mbarë trojet shqiptare, kështu që filmi komunikon me gjithë shqiptarët kudo që janë”, tha Murataj.
Aktorja e re Sindi Laçej, e cila në film luan rolin e vajzës së familjes e cila merret me administrimin e shtëpisë, pasi që vëllanë e ka të izoluar për shkak të gjakmarrjes, tha se kishte parë nga afër jetën të cilën e kishin bërë shumë familje që janë në gjak me njëra tjetrën, andaj sipas saj nuk ishte edhe aq e vështirë të luhej ky rol.

“Duke parë nga afër një familje e cila jeton me këtë gjë çdo ditë dhe vajzat, të cilat jetojnë me këtë fenomen, na dhanë shtytjen e parë dhe atë më të madhen që të krijonim në një farë mënyre personazhe që na ishin dhënë në rol dhe më pas t`i nxirrnim në atë mënyrë në film”, u shpreh aktorja e re Laçej.

Aktori kosovar Çun Lajçi, duke folur për filmin, tha se lokaliteti ku është zhvilluar ngjarja në film ka qenë mjaft i përshtatshëm me dialektin, traditën dhe për këtë arsye ata, sipas tij, kanë mundur t’iu përshtaten roleve.

“Është film që me të vërtetë mjaft mirë krijohet. Kemi qenë më afër edhe dialektit edhe traditës qysh ndodh ngjarja. Kjo ndoshta e ka bërë më të lakmueshëm filmin, sepse jemi shtrirë mirë në lokalitetin ku zhvillohet ngjarja”, u shpreh Lajçi.

Përpos aktorit Lajçi, në këtë film luajnë edhe aktorët tjerë kosovarë si Ilire Vinca-Çelaj, Luan Jaha, Veton Osmani, Selman Lokaj, ndërsa nga Maqedonia është aktori Refet Abazi.

Filmi ‘Falja e gjakut’ sivjet ka fituar çmimin për skenarin më të mirë në festivalin e filmit në Berlin, ndërsa është prezantuar edhe nëpër festivale të tjera europiane dhe botërore.
Po ashtu, të dielën, në kuadër të festivalit PrifilmFest, organizatorët zhvilluan një takim me përzgjedhësen e filmave të festivalit të Sarajevës Elma Tataragic, ku diskutuan për historinë e filmit boshnjak në njëzet vjetët e fundit, si dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy festivaleve.

Duke folur për kinematografinë boshnjake, ajo tha se nëse e shikoni nga jashtë duket si histori suksesi dhe natyrisht krahasuar me rrethanat në të cilat janë bërë filmat është vërtet një histori suksesi.

“Por gjatë njëzet viteve të fundit ne jemi ballafaquar me kinemanë dhe mënyrën se si të bëjmë filma. Fondi ynë i filmit nuk ka ndonjë buxhet të madh. Është themeluar në vitin 2003 dhe buxheti i këtij fondi është më pak se një milion euro. Kjo shumë duhet të mbulojë prodhimin e filmit, të filmit të animuar, të filmit të shkurtër, të filmit dokumentar, të filmit studentor etj. Kështu që filmbërësve u duhet që të kërkojnë para edhe tjetërkund dhe mënyra më e mirë është ajo e kooproduksioneve”, tha Tataragic.
Ajo tregoi se pas luftës në Bosnje ka qenë një periudhë e krizës kur për shtatë vite është bërë vetëm një film.

“Pas luftës kur kriza filloi ne kemi pasur vetëm një film që prej vitit 1995 deri në vitin 2002. Po ashtu kemi pasur vetëm pesë apo gjashtë filma të shkurtër të bërë nga studentët”, tregoi Tataragic.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›