E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet Raporti Vjetor për vitin 2009 i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u njoh sot me Raportin Vjetor për vitin 2009 të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, prezantimin e të cilit e paraqiti kryetari i këtij institucioni, zoti Adriatik Llalla. Në fjalën e tij, zoti Llalla njohu anëtarët e Komisionit të Ligjeve me angazhimin e ILDKP-së në forcimin e kapaciteteve investiguese, në shtimin e mekanizmave kontrollues për pasuri të krijuara në mënyrë të dyshimtë si dhe në ofrimin e asistencës për zyrtarët në respekt dhe përputhje me ligjet që ky institucion administron. Në mënyrë të veçantë, zoti Llalla u ndal edhe tek rezultatet e ILDKP-së në lidhje me hetimet kundër fenomenit të korrupsionit si dhe në masat e marra për parandalimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesit. Në këtë drejtim, zoti Llalla kërkoi dhe vuri në dukje domosdoshmërinë për një bashkëpunim më të ngushtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, përsa i përket rasteve të kallëzimeve penale që ILDKP depoziton pranë organit të akuzës. Pasi u njohën me raportin, anëtarët e Komisionit të Ligjeve i drejtuan kryetarit të ILDKP-së disa pyetje, në të cilat u kërkuan rezultatet konkrete mbi hetimet që ky institucion ka bërë për persona të përfshirë në konflikt interesi, cili ka qenë bashkëpunimi që Prokuroria ka dhënë mbi këtë çështje si dhe masat që janë marrë për çdo rast dyshues në lidhje me mosdeklarimin e pasurive, me fenomenin e korrupsionit etj. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve vlerësuan rolin e rëndësishëm të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në evidentimin dhe parandalimin e praktikave të pasurimit korruptiv ndërsa kërkuan forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve në parandalimin e këtyre fenomeneve. Në vijim, mbledhja e Komisionit të Ligjeve u fokusua tek shqyrtimi dhe më pas miratimi i një projektrezolute, në të cilën ILDKP-së i kërkohet forcimi i instrumentave të investigimit administrativ, forcimi i bashkëpunimit dhe mbështetjes ndaj shoqërisë civile si dhe të informojë Kuvendin lidhur me rastet kur autoritetet përgjegjëse neglizhojnë apo kapin rezultate të ulëta në ndjekjen dhe ndëshkimin e konfliktit të interesit apo fshehjes së pasurisë të zbuluar nga ILDKP. Projektrezoluta e miratuar sot nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, do të kalohet për miratim në seancë plenare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›