E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet hulumtimi “ Gratë në mediat e shkruara”

Agjencia për Barazi Gjinore ka prezantuar rezultatet e hulumtimit “ Gratë në mediat e shkruara”, për periudhën 2010 – 2011. Ky hulumtim doli nga mënyra se si e trajtuan mediat e shkruar, gjatë periudhës 2010-2011, femrën dhe problemet e përkatësisë gjinore. Sfida qëndron në faktin se si të prezantohen ngjarjet, titujt nëpër gazeta, çfarë ato pasqyrojnë dhe mënyra e analizimit të fenomeneve.

Me këtë rast, kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore nga Zyra e Kryeministrit, Edona Hajrullahu ka thëne se hulumtimi është realizuar në përputhje me objektivavat e parapara në Programin e Kosovës për Barazi Gjinore(PKBGJ) dhe Planin e veprimit 2011-2014 si dhe Ligjin për Barazi Gjinore, të cilat përcaktojnë qartë detyrimet për institucionet publike, por edhe ato institucione, mandati i të cilave përkon me media dhe që kanë në fokus arritjen e barazisë gjinore.

Siç thuhet në komunikatën e sotme për media, pasi barazia gjinore është një e drejtë themelore qytetare, një vlerë e përbashkët e vendeve të Bashkimit Evropian, dhe një kusht i domosdoshëm për integrim, atëherë edhe mediat nuk duhet të jenë thjesht një pasqyrë e karakteristikave tradicionale, kulturore dhe sociale, por duhet të jenë agjentë ndryshimi me mënyrën e trajtimit të grave dhe për studimet gjinore në përgjithësi, ka theksuar znj. Hajrullahu.

Ndërsa përfaqësuesi nga MDA Robert Fejzullahu bëri prezantimin e hulumtimit “Gratë në mediat e shkruara”për periudhën 2010-2011, duke shtuar se “qëllimi i këtij studimi është që të ndihmojë në ofrimin e një pasqyre me reale, të bazuar në hulumtim kuantitativ dhe kualitativ, mbi atë se sa iu kushtohet hapësirë grave ne mediat e shkruara; cilat nga mediat e shkruara ofrojnë qasje me gjithëpërfshirëse për gratë; të identifikojë shembuj të paragjykimeve dhe stereotipave gjinore në prezantimin e grave në mediat e shkruara në Kosovë”.

Gazetat të cilat janë monitoruar gjatë hulumtimit kanë qenë: Kosova Sot, Bota e Re, Koha Ditore, Gazeta Express, Tribuna Shqiptare, Epoka e Re dhe Info Press.Hulumtimi është realizuar nga MDA – Management Development Associates/Indekso
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›