E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prezantohet portali “e-Legjislacioni”, Spiropali: Teknologjia në funksion të demokracisë dhe transparencës

Kuvendi i Shqipërisë prezantoi platformën digjitale, e-Legjislacioni, me fokus në modernizimin e procesit ligjvënës në vend.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, theksoi se në kohën kur sfidat e digjitalizimit dhe transparencës janë gjithnjë e më të mprehta, Shqipëria ka zgjedhur të jetë në anën e zhvillimit dhe të përparimit demokratik.

“Në modernizimin e shërbimeve parlamentare, në një kohë kur përballemi me sfida të digjitalizimit dhe transparencës, Shqipëria ka zgjedhur të jetë në anë e duhur të zhvillimit. Me këtë platformë hapim një kapitull të ri se si hartojmë, diskutojmë dhe miratojmë ligjet. Kemi ndërtuar këtë platformë për modernizmin për procesin parlamentar, pra atij ligjbërës si një kontribut për avancimin e shoqërisë”, u shpreh Spiropali.

Sipas saj, platforma garanton një proces ligjvënës më transparent, më të hapur për publikun dhe më të besueshëm, duke vendosur teknologjinë në funksion të demokracisë. Platforma mundëson për herë të parë akte ligjore të konsoliduara, që përfshijnë të gjitha ndryshimet ndër vite, të aksesueshme për të gjithë.

Spiropali shtoi se kjo platformë është edhe një ftesë për pjesëmarrje aktive të qytetarëve, duke i informuar më mirë dhe përfshirë më shumë në vendimmarrje.

“Përmes kësaj platforme miratojmë përdorimin e një cilësie të re dhe një vizion të ri për një proces ligjvënës më transparent, më të lirë, më të hapur për publikun dhe më të besueshëm. Po ndërtojmë ura komunikimi mes institucioneve dhe po vendosim teknologjinë në funksion të demokracisë. Për herë të parë do të kemi akte ligjore të konsoliduara, që do të përmbajnë të gjitha ndryshimet gjatë viteve, me qasje për të gjithë. Përveç të tjerash do mundësojë rritje të transparencës duke u krijuar mundësi kujtdo të di historikun e plotë të një akti ligjor që nga hartimi e propozimi deri te miratimi në Kuvend.

Ky portal është një ndrysim thelbësor për mënyrën si hartohet dhe miratohet legjislacioni në Shqipëri. Kjo platformë është edhe një ftesë për pjesëmarrjen e qytetarëve, për të qenë më të informuar dhe për një proces më gjithëpërfshirës. Teksa synojmë anëtarësimin në BE përputhshmëria me standardet ligjore dhe një qeverie të hapur është më afër se kurrë. Synojmë të krijojmë institucione më efikase, më të hapura dhe transparente ndaj qytetarëve. Kjo platformë është ndërtuar me mbështetjen e OSBE, financuar nga Zvicra. Të ecim përpara drejt një kuvendi dhe një shoqërie më transparente, më efikase dhe më demokratike”, tha Spiropali.

Kjo nismë vjen në kuadër të përpjekjeve për përputhshmëri me standardet e Bashkimit Evropian dhe ndërtimin e institucioneve më efikase. Platforma “e-Legjislacioni” është zhvilluar me mbështetjen e OSBE-së, dhe është financuar nga qeveria zvicerane.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›