E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezë, plumba shtëpisë së kreut të PS, Kajmaku: Dyshoj tek kryetari i komunës

TIRANE - Cenohet sërish prona dhe familja e kreut të Partisë Socialiste në Prezë, Lavdim Kajmaku. Tri ditë pasi i dogjën biznesin dhe banesën, mëngjesin e djeshëm familja Kajmaku është tronditur sërish. Kreu i PS-së në Prezë, ka rrëfyer se teksa gdhihej dita e shtunë, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të banesës së tij me kallash dhe i është vënë flaka dy makinave të parkuara në oborr. "Është gjithçka politike. Unë personalisht nuk kam konflikte me askënd", - sqaron Kajmaku. Por, ai nuk përjashton se të dyja ngjarjet janë organizuar nga kreu i komunës së Prezës, Ahmet Halili. "Dyshoj tek ai, sepse ai akuzohet për një ngacmim seksual dhe kujton se gjithë ngjarjen ia kam krijuar unë për arsye elektorale, por unë nuk kam lidhje fare me të", - pohon Kajmaku, duke shtuar se ai ka frikë vetëm për familjarët e tij.
Keni ndonjë dyshim për këtë konflikt?
Është vetëm politike. Nuk kam asnjë dyshim tjetër, nuk kam gjë konkrete. Kam dyshimet e mia, por nuk kam asnjë armik personal. Nuk i kam njeriu borxh, jam tepër i qetë. Nuk po e kuptoj se çfarë po ndodh.
E keni fjalën për angazhimin tuaj në politikë?
Po, kam vetëm një dyshim. Është kreu i komunës së Prezës, Ahmet Halili. Unë nuk kam konflikte me të. Por, ai kujton se unë ia kam bërë për çështje elektorale; ai është në kërkim nga SHBA për ngacmim seksual.
Pse dyshoni pikërisht për të?
Dyshoj, sepse ai dyshon se të gjitha gjërat ia kam bërë unë për shkaqe politike. Unë nuk kam lidhje me të. Pikërisht dy ditë pas publikimit të skandalit të tij në media, mua më ndodhi rasti i parë, kur iu vu zjarri biznesit dhe pronave të mia në Prezë. Kur kaluan vetëm dy ditë nga kjo ngjarje, tentuan sërish të më digjnin banesën dhe të më vrisnin njerëzit e afërt.
Si ka ndodhur ngjarja e fundit?
Në orën 4 të mëngjesit, kanë hyrë dy ose tre persona me armë, u kanë vënë flakën dy makinave në oborr dhe i kanë vënë flakën derës së shtëpisë, që ne të mos dilnin dot nga shtëpia, dhe kur i kanë hedhur bombolat me molotov kanë bërë zhurmë. Në këtë moment është zgjuar nusja e xhaxhait dhe babai im, të cilët, sa kanë hapur derën, i kanë qëlluar me breshëri. Unë nuk kam qenë në banesë, kanë qenë prindërit e mi dhe familja e xhaxhait.
Po nga ana e policisë, çfarë është bërë për këtë ngjarje?
Herën e parë nga policia nuk është bërë asgjë, nuk kanë shoqëruar askënd në polici. Këtë herën e dytë më thanë fjalën se do e zbardhin sa më shpejt këtë punë dhe se do merren ata. Unë ua kam lënë organeve kompetente këtë punë, nëse ata nuk e zgjidhin, unë do marr masa ta zgjidh vetë.
Ndiheni i kërcënuar pas kësaj ngjarjeje?
Unë personalisht nuk kam asnjë problem, nuk ndihem i kërcënuar. Gjithë problemi im është familja, kam vetëm hallin e tyre. Kam frikë vetëm për jetën e të afërmve dhe familjarëve të mi, të cilët nuk kanë se pse të përfshihen në atë që bëj unë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›