E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prezenca e policisë afër shkollave – prindërit mirëpresin nismën, kërkojnë zbatimin deri në fund të vitit shkollor

Efektivët e Policisë së Shtetit vijuan prezencën e tyre në afërsi të shkollave edhe këtë të martë (9 shtator).

Bazuar në planin e masave të hartuar nga disa dikastere qendrore, ata po monitorojnë gjithçka çfarë ndodh në perimetrin e sigurisë.

Në terren janë jo vetëm efektivë me uniformë, por edhe civilë, të cilët vëzhgojnë afrimin pranë shkollave të personave që mund të tregtojnë lëndë të ndaluara, siç është alkooli apo llojet e ndryshme të lëndëve narkotike.

Ata që e kanë mirëpritur më së shumti prezencën e shtuar të policisë pranë shkollave, janë gjyshërit, të cilët thonë se nipërit apo mbesat e tyre janë më të sigurt nëse policia vëzhgon gjithçka çfarë ndodh në afërsi të shkollave.

“Arritje e mirë nëse do ta zbatojnë. I shërben sigurisë. Edhe prindërit nuk e kthejnë kokën mbrapa, edhe ne gjyshërit i kemi të sigurt derisa të vijnë në duart tona. Shpresojmë që ta forcojnë më shumë rregullin dhe disiplinën, kështu që kemi shpresë se ato masa do të bëhen realitet,” thotë një qytetar.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, oficerët e sigurisë në shkolla, mësuesit, drejtuesit e shkollave, prindërit dhe qeveritë e nxënësve, Policia e Shtetit e ka fokusuar prezencën përmes Patrullave të Përgjithshme, strukturave të Policimit në Komunitet, Policisë Rrugore dhe Policisë Kriminale, për të garantuar mjedise të sigurta brenda dhe rreth shkollave.

Zbatimi i masave është përcaktuar në Paketën e Sigurisë në Shkolla.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›