Paketa e masave për mbrojtjen e territorit, Manja: Nga gjoba deri në 10 vjet burg për zjarrvëniet, ndërtimet pa leje

Gjatë prezantimit të paketës së masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, theksoi se mbrojtja e territorit, pronës dhe mjedisit do të jetë shtylla kryesore e mandatit të katërt të qeverisë socialiste.
“Masat tregojnë vendosmërinë e qeverisë që mbrojtja e territorit, pronës dhe mjedisit, për ne janë çështje kombëtare dhe kjo paketë i trajton si të tilla. Mbrojtja e tyre do të jetë shtylla e mandatit tonë të ri. Prej vitesh, hapësira të konsiderueshëm publike janë zënë në mënyrë të paligjshme ose janë keqpërdorur. Kjo paketë nuk është vetëm një ndërhyrje ligjore, por një hap drejt një modeli të ri zhvillimi që garanton barazi në shfrytëzimin e hapësirës publike, siguri juridike për qytetarët dhe ndërtuesit dhe respekt ndaj trashëgimisë sonë natyrore dhe kulturore. Kjo paketë masash ligjore synon mbrojtjen e tokës, territorit, natyrës dhe mjedisit, nëpërmjet masave me karakter administrativ dhe penal që vijën si një nevojë e ndryshimeve që ne kemi bërë me paketën e masave administrative”, tha Manja.
Sipas ministrit, përmes kësaj pakete synohet që t’i jepet fund ndërtimeve pa leje, të çlirohen dhe rikthehen hapësirat publike, të mbrohen resurset natyrore dhe mjedisi, të forcohet transparenca dhe kontrolli institucional, si dhe të nxitet turizmi dhe ekonomia e gjelbër.
Në këtë paketë është parashikuar ndërhyrja në disa nga ligjet kryesore që kanë të bëjnë me planifikimin e zhvillimit të territorit, konkretisht në ligjin e vitit 1998 për kontrollin dhe disiplinimin e ndërtimeve. Sipas ndryshimeve të propozuara, për të siguruar zbatimin e projekteve arkitekturore, arkitektët do të jenë përgjegjës dhe do të duhet të ndjekin të gjithë procesin e ndërtimit për t’u siguruar se projekti i miratuar është zbatuar dhe nuk janë kryer ndryshime. Po ashtu, një objekt do të pajiset me lidhjet e duhura të rrjeteve të ujit dhe energjisë, vetëm pasi të ketë marrë certifikatën e përdorimit.
Janë kërkuar ndryshime edhe në Kodin Penal për mbrojtjen e territorit dhe mbrojtjen nga zjarri, konkretisht neni 151. Sipas nenit aktual, shkatërrimi apo dëmtimi i pronës me zjarr dënohet me gjobë ose burg deri në 5 vite dhe deri në 10 vite nëse janë shkaktuar pasoja të rënda materiale. Për pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënimi parashikon burg nga 5 deri në 10 vite. Në ndryshimet e propozuara, shtohen disa cilësime si koha apo kushtet e motit ose të terrenit që rrisin rrezikun e përhapjes së zjarrit, apo kur kryhet pranë vendeve të banuara, duke kërkuar burg nga 3 deri në 8 vjet. Kur kjo vepër kryhet brenda zonave të mbrojtura, ose prek objektet e kultit, trashëgimisë kulturore, apo cenon infrastrukturën kritike, kërkohet dënim me burg nga 4 deri në 10 vite.
Për ndërtimet pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një leje të shfuqizuar në tokën në pronësi të vet, parashikohet dënim me 1 vit burg. Por ndërtimi pa leje në tokën publike, shtetërore apo në tokën e dikujt tjetër do të dënohet me burg nga 1 deri në 5 vite. Në rastet kur ndërtimet kanë sjellë pasoja të rënda apo janë kryer për qëllime fitimi, dënimi rritet nga 3 deri në 8 vite burg.
Një dënim i ashpër për ndërtimet pa leje parashikohet për personat që ushtrojnë funksione publike, të cilët do të rrezikojnë nga 3 deri në 7 vite burg si dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike deri në 5 vjet. Kur ndërtimi kryhet brenda zonave të mbrojtura, apo parqe natyrore, dënimi rritet nga 5 deri në 10 vite burg.
Sa i përket hapësirës publike, parashikohet të kryhet një inventarizim i të gjitha hapësirave publike nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Hapësirat publike do të regjistrohen në kadastër dhe do të ndalohet zënia e tyre nga individë apo subjekte pa leje shfrytëzimi nga autoritetet.
/rtsh.al/