E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Akuzat, trillime nga botues afër Ramës

17/08/2010 Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, deklaron se akuzat për pasurinë e tij vazhdojnë vetëm në ato media, botuesit e të cilave janë ndërtues që marrin lejet nga kryetari i Bashkisë Edi Rama. Deklarata e Priftit u bë dje gjatë një konference për mediat ku paraqiti të dhënat më të fundit për dhënien e koncesioneve. Duke ju përgjigjur pyetjes për verifikimin e pasurisë, Prifti u shpreh se çështjen ua ka lënë në dorë institucioneve.

“Janë vetëm dy gazeta që vazhdojnë refrenin e “Zëri të Popullit”, janë të dyja me pronar ndërtues dhe vazhdojnë refrenin e gazetës partiake të PS-së”, tha Prifti. Duke u ndalur në akuzat që janë bërë nga PS-ja për pasurinë prej 1.5 milionë eurosh të deklaruar gjatë vitit që kaloi, Prifti u shpreh se është njoftuar nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive për nisjen e verifikimit të të dhënave të deklaruara. “Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive ka filluar analizimin e deklarimeve të mia të pasurisë, unë mendoj se çdo njeri që respekton ligjin duhet të presë të flasin institucionet e shtetit”, u shpreh ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›