E Diel, 1 Nëntor 2026

Treni shtyp 53-vjeçaren, nisin hetimet

17/08/2010 Gruaja kaloi trasenë pa u siguruar

DURRES- Treni i mallrave ka aksidentuar dje në zonën e plazhit të Durrësit një shtetase, e cila vijon të jetë në gjendje kritike për jetën. Gj. Milloshi 53 vjeç ka zbritur nga mbikalimi pranë Shkëmbit të Kavajës dhe sapo ka vënë këmbën në trasenë e hekurudhës është përplasur nga treni i mallrave. Treni me numër 669 po lëvizte në itinerarin Durrës-Elbasan, ndërsa aksidentin e ka bërë rreth 2 km larg nga Plepat e Durrësit. Burime pranë vendit të ngjarjes kanë thënë se Milloshi kishte kaluar nga njëra anë e autostradës Plepa-Golem në anën tjetër fare pranë hotel “Belvedere”. Mashinisti ka ndalur trenin menjëherë, pasi po ecte me shpejtësi të vogël për shkak se zona tek Shkëmbi i Kavajës ka shumë pushues, të cilët kalojnë shinat për të shkuar në det. Gruaja është transportuar për në spitalin e Durrësit nga një mjet që ka kaluar aty pranë, kurse grupi hetimor dhe inspektorati hekurudhor kanë nisur zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të rëndë. Viktima ka pësuar fraktura të forta në shpatull e në këmbë në çastet kur ka zbritur shkallën për të kaluar shinat. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 9.50 dhe për afro 2 orë linja hekurudhore për në Jug të vendit është bllokuar plotësisht deri në përfundimin e hetimeve. Një grup ekspertësh të Drejtorisë së përgjithshme të Hekurudhës kanë shkuar në vendngjarje për të grumbulluar informacionet, kurse mashinisti është detyruar t’i lërë drejtimin e trenit të mallrave ndihmësit të tij për të dhënë shpjegime në polici. Treni ka pasur si ngarkesë skrap dhe po e dërgonte për në shkritoren e Elbasanit për llogari të KURUM. Aksidenti tek Shkëmbi i Kavajës, rreth 10 km nga stacioni hekurudhor i Shkozetit është i pari gjatë këtij viti në linjën hekurudhore të sektorit në Durrës. Ndërtimi i rrugës Plepa-Rrogozhinë ka bllokuar të gjitha nënkalimet e hapura në mënyrë ilegale, ndërsa ndërtimi i rrugëve dytësore paralel me superstradën ka shmangur dukshëm si aksidentet hekurudhore edhe ato rrugore. Por drejtues të hekurudhës sh.a kanë bërë të qartë se ende ka probleme lidhur me kalesat e paligjshme në trasetë hekurudhore nga Hani i Hotit në Shkodër deri në Golem. Bëhet fjalë për rreth 170 kalesa të paligjshme dhe ndërtime në rrezen e ndalur të ndërtimit të linjës hekurudhore që janë burim aksidentesh e incidentesh të shumëllojshme. Hekurudha ka kërkuar në mënyrë sistematike nga pushteti vendor ndihmë e bashkëpunim për të prishur kalesat që janë bërë burim aksidentesh. Por krerë të hekurudhës kanë pohuar se kjo mbështetje ka munguar përgjithësisht, ndërkohë që ALUIZNI ka vendosur të lërë jashtë procesit të legalizimit të gjitha ato ndërtime që janë brenda vijës së kuqe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›