E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Debat me PS-në, Berisha e Meta mund të më kërkojnë dorëheqjen

 
Ministri Prifti tha se ndërkombëtarët, Berisha dhe Meta e kanë falënderuar për përkushtimin në përballimin e gjendjes. Prifti ftoi PS-në në debat për energjetikën
 
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, refuzoi kërkesat për dorëheqje të Partisë Socialiste, mbështetur në përgjegjësinë që i ngarkon ajo për keqmenaxhim në përballimin e përmbytjeve. Ministri Prifti ftoi kryesocialistin Edi Rama, që të caktojë njeriun e tij për të debatuar me të mbi menaxhimin e gjendjes së hidrocentraleve, ose në të kundërt të heshtë.
Dorëheqja
Ministri Dritan Prifti tha se të drejtën për t’ia kërkuar dorëheqjen e ka vetëm kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, zëvendëskryeministri Ilir Meta. Për ministrin Dritan Prifti, qartësisht menaxhimi ka qenë efikas, gjë që sipas tij e dëshmojnë vlerësimet që janë dhënë nga ndërkombëtarët. Prifti tha se nuk qëndrojnë assesi akuzat e përditshme të opozitës ndaj tij dhe ndaj kryeqeverisësit të koalicionit të pas 28 qershorit, Sali Berisha. “Të drejtë ligjore dhe të drejtë morale për të kërkuar dorëheqjen time nga detyra ka vetëm dy persona. Njëri quhet Sali Berisha, është kryeministër i vendit dhe vetëm ai ka të drejtë ligjore e morale të gjykojë punën time, se si e kam bërë dhe pastaj të kërkojë dorëheqje apo të falënderojë për punën, siç më ka falënderuar. Personi i dytë quhet Ilir Meta, që është kryetari i partisë sime. Duke qenë se jemi në një koalicion, ai ka të drejtën morale të më kërkojë mua të largohem nga detyra, nëse nuk përmbush përgjegjësitë dhe detyrimet e mia si ministër”, - tha Prifti. Ai shtoi se zëvendëskryeministri Meta e ka vlerësuar për detyrën siç u shpreh, “e bërë me sakrifica dhe gjithë përkushtim”.
Debati
Ministri i LSI-së në bashkëqeverisje me PD-në refuzoi gjithashtu dyshimet për korrupsion, kur iu drejtua atyre që e “akuzojnë (për korrupsion), për shkelje rregulloreje, për shkelje ligji, për udhëtime turistike jashtë shtetit, për çfarëdo qofshin”. Dritan Prifti tha se Rama duhet të mos lëshojë akuza të paqëndrueshme, por të caktojë atë që e quajti “ministër hije të Energjetikës” të debatojë me të. Po i bëj një thirrje të drejtpërdrejtë zotit Rama. Zgjidh njeriun më të mirë që ke në stafin tënd, zgjidh atë që e ke ministër hije të Energjetikës ose e ke ministër të ardhshëm të Energjetikës nëse do të vish ndonjëherë në pushtet dhe unë e ftoj të dalë me mua në debat publik. Zgjidheni ju televizionin, zgjidhni ju studion, moderatorin dhe çfarë të doni tjetër. Zgjidhni njeriun të vijë përballë meje dhe t’u tregojmë të gjithë shqiptarëve çdo gjë. Si e kemi bërë punën, me ligjin përpara, me vendimet e qeverisë përpara, me rregullore përpara, çdo gjë. Nëse nuk ke guximin të vësh përballë meje njeriun tënd më të mirë që të bësh transparencë përpara të gjithë shqiptarëve, atëherë pusho, mos shpif, mos trillo dhe mos ofendo ata njerëz të cilët kanë punuar me përkushtim 24 orë, për t’u dhënë të gjithë shqiptarëve drita dhe për ta lehtësuar sa më shumë situatën e njerëzve që janë të përmbytur në zonën e Shkodrës dhe Nënshkodrës”.
 
 
LSI
 
Meta: Rama, çështje personale me Priftin
 
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka obsesion ndaj ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, dhe arsyet për dorëheqjen e tij nuk qëndrojnë. Meta, kryetar i LSI-së në koalicionin qeveritar me të dhe ministrin Prifti, tha se, “edhe sikur të mos ishte fare në qeveri zoti Prifti, ata prapë do të kërkonin largimin e tij”. “Zoti Rama ka obsesion personal (janë arsyet e tyre), por në politikë nuk ecet me opsesione personale. Mendoj se opozita pa asnjë diskutim duhet të japë kontributin e saj konstruktiv, së dyti të japë mbështetje për ekspertët, për specialistët që të zbatojnë detyrat e tyre”, - tha Meta. Ai shtoi se është e rëndësishme që këto fenomene të përballohen me politika më afatgjata në të ardhmen, që do ta vënë Shkodrën dhe Qarkun e Shkodrës në qendër të përparësive të kësaj qeverie dhe qeverive të ardhshme. Për sa i takon kaskadës së Drinit, Meta tha se ishte i bindur që ajo është menaxhuar në mënyrë më korrekte dhe profesionale, bazuar në ligjin dhe rregulloren për mbi të cilat funksionon menaxhimi i këtyre hidrocentraleve, i kaskadës dhe i sistemit tonë energjetikë në përgjithësi. “Absolutisht që kjo është një fatkeqësi natyrore, çdo përpjekje për të instrumentalizuar një fatkeqësi të tillë për qëllim politike, absolutisht që shton keqardhjen, kur është koha që të gjithë të japin kontributin e tyre për të menaxhuar këtë situatë sa më mirë”, - vijoi Meta.
 
 
 
Topi dekreton ndryshimet ligjore për pronat
Presidenti Bamir Topi dekretoi dje një sërë ligjesh të miratuara në seancat e fundit parlamentare të vitit të kaluar, mes të cilëve edhe ligjin, i cili parashikon regjistrimin e tokës bujqësore për banorët që kanë përfituar nga ligji 7501, por që nuk kanë marrë akoma aktet e pronësisë. Ky ligj është kundërshtuar fuqishëm nga Partia Socialiste dhe është cilësuar si një ligj, përmes të cilit qeveria shqiptare u “grabit” tokat qytetarëve, me kusht që t’ua regjistrojë atë. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, kreu i shtetit i ka hapur rrugë edhe hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore të miratuara nga mazhoranca në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës.
 
 
 
Godo: Klasa politike të bashkohet për interesa kombëtare
Presidenti i Nderit i Asamblesë Republikane, Sabri Godo, tha dje, se situata emergjente e Shkodrës duhet të shërbejë për bashkimin e palëve politike në vend, pasi vendi nuk ka nevojë për akuza politike, por për diskutime konkrete. Godo tha se Parlamenti Shqiptar duhet të mblidhet në unitet, pra edhe me praninë e opozitës, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të Shkodrës që u janë përmbytur shtëpitë. “Populli nuk ka nevojë për akuza politike, por për diskutime konkrete për fatet e kombit. Parlamenti duhet të mblidhet në unitet, të diskutojë dhe t’i ndihmojë ata njerëz. Deri tani situata është menaxhuar mjaft mirë nga qeveria, por është e pamatur dhe mënyrë e gabuar gara që ka nisur mes dy forcave të mëdha për ndihma në Shkodër”, tha Godo, sipas “Ora News”. Po ashtu, politikani i njohur kritikoi presidentin Bamir Topi se nuk ka mbajtur qëndrimet e duhura në këto muaj, ndërsa shtoi se akuzat për korrupsion dhe keqmenaxhim të rezervave të hidrocentraleve duhet t’i lihen si objekt pune prokurorisë dhe jo politikës.
 
 
Felaj: Kompensim urgjent me lekë në dorë
Partia Socialiste përsëriti dje kërkesën e saj për dëmshpërblim të menjëhershëm dhe me lekë në dorë të banorëve që u janë përmbytur banesat në Shkodër. Deputetja socialist,e Ermonela Felaj, tha dje, se shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se katastrofa nuk ishte natyrore, por një përmbytje e shkaktuar nga babëzia dhe korrupsioni i qeverisë. “Përmbytja që la mijëra familje pa shtëpi, nuk erdhi si rezultat i ngrohjes globale, apo eklipsit të hënës, siç thotë kryeministri i votave të vjedhura, por erdhi si rezultat i rënies së shtetit, i moszbatimit të asaj rregulloreje që përcakton qartë kuotën limit të nivelit të ujit në digat e hidrocentraleve. Sot, kur mijëra shkodranë vazhdojnë t’i kenë shtëpitë, bagëtinë, tokat dhe gjithçka në dorë të fatit, Sali Berisha duhet të japë menjëherë asistencë financiare, me lekë në dorë”, tha Felaj. Ajo i kërkoi kryeministrit Sali Berisha që të lërë propagandën, sepse shkodranët nuk mbijetojnë me gënjeshtra. Sipas deputetes socialiste, të përmbyturit e Veriut nuk mund të rrinë me sytë nga qielli, por duhet të marrin menjëherë asistencë financiare. “Për të gjithë këta njerëz, Sali Berisha nuk duhet të premtojë, por të veprojë një orë e më parë. Ky është apeli ynë. Ky është apeli i shqiptarëve”, tha Felaj
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›