E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pranon: Portat mund ti kishim hapur në nëntor

 
Kreu i qeverisë pranon se nuk janë hapur portat e Fierzës. Premton zhvillimin e turizmit mbi lumin Bunë. “Ujin e mbajtëm, që të mos rrezikonim jetën e banorëve”
 
 
Kreshnik KUçAJ
Kryeministri Sali Berisha pranoi dje, se rezervat ujore në hidrocentralin e Fierzës janë mbajtur në kuotat maksimale që në muajin nëntor. Duke dhënë një version ndryshe nga sa ka deklaruar deri tani, Berisha argumentoi se mbajtja e kuotave maksimale ka qenë një veprim i detyruar deri në evakuimin e popullsisë. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, që ndryshe nga herët e tjera u zhvillua në Shkodër, Berisha tha se, në rast se portat e hidrocentraleve do të ishin hapur që në ditët e fundit të muajit nëntor, por kjo mund të sillte një katastrofë për jetët e banorëve. “Ata të cilët klithin se përse nuk u lëshua Fierza, Fierza u mbajt ditët e fundit të nëntorit dhe jua them unë arsyet: pikërisht sepse një përmbytje e menjëhershme mund të ishte katastrofale për jetët e njerëzve. Për ata që menaxhuan digat e portat, i menaxhuan me përkushtimin më të madh, i menaxhuan në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendore, i menaxhuan duke bërë maksimumin për t’u përshtatur me kërkesat e tyre. Mos e rrisni më shumë se 50 metra kub, kërkonin ata në 20 minuta se mos na bien digat. Kjo ishte edhe përshtatja që bënin autoritet e KESH-it. Ata bënë një menaxhim, me të cilët shmangën më të keqen dhe e keqja ishte që vala e egër e shkarkimeve të shembte argjinaturat e Dajçit dhe sistemin e tërë të mbrojtjes, ku nuk do të merrej më vesh se ku ndodheshin shtëpitë”, tha Berisha në mbledhjen e qeverisë në Shkodër. Berisha hodhi poshtë të gjitha akuzat e opozitës, se tejkalimi limitit të rezervave ujore ishte bërë për arsye përfitimi nga ana e qeverisë. Sipas kreut të qeverisë, opozita po bën “sherr budallën”, duke i thënë Shkodrës, se qeveria e rezervoi ujin për ta shitur me çmim më të shtrenjtë në janar. Berisha tha se opozita e bën këtë, vetëm sepse Enti Rregullator i Energjisë rriti çmimin e energjisë për konsumatorët. “ERE rriti çmimin nga 17 lekë të vjetra në 22 lekë të vjetra, në një kohë kur në çdo orë, në çdo ditë të tetorit, të nëntorit, të dhjetorit, qeveria dhe KESH-i mund ta shisnin energjinë me së paku 45 lekë deri në 50 lekë të vjetra, pra u them u them dhe njëherë mos i servirni Shkodrës dokrra, se prej saj do të keni vetëm një përgjigje: “sherr budalla”, tha Berisha. Po ashtu, kreu i qeverisë u ndal gjatë në argumentimin, se shkaku i vërtetë i përmbytjes në Shkodër ishin reshjet e shumta që përsëriten 1 herë në 100 vite. Berisha tha se reshjet ishin me intensitet të shkallës së dytë, ndërsa vlerësoi se tashmë situata e emergjencës për sa i përket rrezikimit të jetëve njerëzore është kaluar. Në këtë pikë, Berisha bëri vlerësimet maksimale për qeverinë e tij dhe burimet njerëzore që u angazhuan në kapërcimin e emergjencës, duke thënë se kjo është hera e parë në historinë e vendit që ishte realizuar një operacion kaq i suksesshëm.
Pas emergjencës
Kryeministri Sali Berisha garantoi dje, se qeveria e tij do të dëmshpërblejë banorët e përmbytur deri në qindarkën e fundit, përfshirë edhe për lodrat e fëmijëve, sikurse tha në një takim me banorët e evakuuar. Berisha tha se qeveria e tij ka një plan konkret për kapërcimin e pasojave të përmbytjes, duke mos ngurruar të lëshojë një premtim për ta kthyer zonën e përmbytur të Shkodrës në një vend turistik. “Isha në derdhje të Bunës. Një dalje e fuqishme kishte nisur thellimin, dalje e cila ka kapacitet 400 metra kub në orë. Tjetra do t’i bashkëngjitet shpejt. U takova me shumë përzemërsi me kapitenin, inxhinierët dhe punëtorët. U thashë se atyre se u ka takuar nderi të jenë pionierët e një projekti madhështor kombëtar, thellimit të Bunës dhe shndërrimit të saj në një lumë të lundrueshëm, vepër kjo që nga njëra anë do të mbrojë Shkodrën nga moti i papërshtatshëm, por nga ana tjetër do të krijojë edhe mundësinë e një prej udhëtimeve turistike më të bukura, nga brigjet e Malit të Zi, Ulqinit, Tivarit, Budva e më tutje”, tha Berisha, ndërsa uji nuk është larguar akoma nga banesat. Po ashtu, kreu i qeverisë foli edhe për realizimin e projekteve të ndryshme në Shkodër, ku prioritare mbetet krijimi dhe forcimi i argjinaturave për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve si kjo e fundit.
 
 
 
Deputetët socialistë: Do të jemi këtu, derisa banorët të kompensohen
Deputetët e Partisë Socialiste nga qarqet kryesore të vendit premtuan dje në Shkodër, se do të jenë atje çdo ditë, derisa të marrë fund katastrofa humanitare, për të cilën akuzohet si përgjegjëse qeveria e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha. Deputetët Arta Dade, Mimi Kodheli, Asllan Dogjani, Qemal Minxhozi, Dashamir Peza, Artan Gaçi, Astrit Beci e Ilir Beqja kanë garantuar banorët, të cilëve u janë përmbytur shtëpitë, se PS-ja nuk do të heshtë për këtë krizë humanitare të shkaktuar nga keqqeverisja dhe se do të jenë gjithmonë në krah të shkodranëve.“ Vazhdojmë të konstatojmë se ka jo vetëm mungesë papërgjegjshmërie, por gjithashtu ka një konfuzion total dhe një çorganizim edhe në ato struktura shtetërore që merren me asistencën e njerëzve dhe familjeve të dëmtuara. Ne jemi këtu, për të garantuar të gjithë banorët dhe familjet e dëmtuara, sepse PS-ja do të vazhdojë të ngulmojë që asistenca financiare të nisë urgjentisht, pavarësisht se ku i bën Sali Berisha mbledhjet e qeverisë në Shkodër apo Tiranë”, tha Arta Dade në emër të 8 deputetëve socialistë. Sipas saj, familjet e lëna në mëshirë të fatit nuk mund t’i kthejnë sytë nga zoti, por sigurisht ata duhet të ndihmohen. Dade tha se për këtë situatë përgjegjës është kryeministri Sali Berisha, prandaj edhe forca më e madhe e së majtës do të marrë të gjitha përgjegjësitë për ta detyruar qeverinë që të mos justifikohet, por të zgjidhë problematikën. “Ne jemi këtu, për të marrë përgjegjësitë, për ta detyruar këtë qeveri që, ashtu siç e krijoi këtë katastrofë, të mos ketë asnjë vonesë në zgjidhjen e problematikës dhe jo të justifikohet. Ne duam të japim një mesazh të fuqishëm, jo vetëm banorëve të Shkodrës, por të gjithë Shqipërisë, se Partia Socialiste do të qëndrojë në krah të të dëmtuarve dhe do të vazhdojë luftën e saj politike, që qeveria të dëmshpërblejë deri në kacidhen e fundit të gjithë ata që janë dëmtuar, ndërsa menjëherë të nisë asistencën financiare për ta”, tha Dade. Po ashtu, deputetja socialiste shtoi se problemi kryesor është se duhet vepruar dhe jo duke shënuar të dhëna nëpër fletore, me premtimin se dëmshpërblimi do të bëhet në një kohë tjetër. Dade tha se Partia Socialiste nuk do të lejojë që të përsëritet përvoja e katastrofave të tjera që ka krijuar kjo qeveri. “është shumë pak të thuash që ministrat janë instaluar në Shkodër, është shumë pak të thuash se po punohet, është shumë pak të thuash se po merr shënime dhe do i dëmshpërblesh më vonë. Problemi është se duhet vepruar. Përvoja e deritanishme, ku Sali Berisha, pasi i krijon krizat, nuk di as t’i menaxhojë ato, është mjaft e qartë”, tha Dade.
 
 
 
Balla
 
Prifti, pushime luksi kur Shkodra përmbytej
Socialistët opozitarë pas zgjedhjeve që i kontestojnë për deformim rezultati të 28 qershorit të shkuar, fajësuan dje ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti, për mosangazhim në përballimin e përmbytjeve. I zgjedhuri në Qarkun e Elbasanit, përkatësisht zona e Librazhdit, deputeti Taulant Balla, tha se denoncimi për Priftin mbështetej në atë që ai e paraqiti si fakt të mosqenies së tij në Shqipëri kur po ndodhte përmbytja në Shkodër. Balla tha se ishte skandal që, kur Shkodra përmbytej, Prifti “udhëtonte për pushime luksi në Turqi”. Balla paraqiti biletën vajtje-ardhje të ministrit dhe ngarkoi me faj kryeqeverisësin Sali Berisha, që sipas tij ishte tërësisht në dijeni të këtij informacioni. “Për këtë arsye, përgjegjësia për përmbytjen e Shkodrës është përgjegjësi e Sali Berishës”, - tha ai. Sipas Ballës, nuk ka asgjë të vërtetë në arsyetimet qeveritare, se përmbytjet u shkaktuan nga kushtet e motit të lig, plot me të reshura të furishme shiu e baticë detare. Duke u mbështetur te deklarimet se (përmbytja) nuk ishte fatkeqësi natyrore që ndodh një herë në 100 vjet, por “papërgjegjshmëri e njerëzve që drejtojnë me vota të vjedhura vendin”, Balla kujtoi se “përmbytjet në këto zona kanë filluar në datat 27 dhe 28 dhjetor”. “Po t’i referohemi deklaratës së drejtorit të KESH-it, hapja e portave është bërë pikërisht më datë 27 dhjetor. Këto fakte duhet ta kishin vënë qeverinë në alarm dhe në gatishmëri pikërisht në këto ditë. Po ku ishte qeveria në ditët e fillimit të tmerrit për banorët e Shkodrës? Dritan Prifti, ministri i Energjetikës, dy ditë pasi kishte filluar përmbytja e paramenduar, më datë 30 dhjetor është larguar nga Shqipëria për të pushuar në një hotel luksi në Turqi. Po ju paraqesim detajet e fluturimit të ministrit përgjegjës për katastrofën. Dritan Prifti është rikthyer në Shqipëri vetëm më datë 3 janar, kur tashmë Shkodra ishte zhytur nën ujë, jetët e banorëve ishin vënë në rrezik, ndërsa pronat ishin shkatërruar plotësisht”, - tha Balla, duke treguar biletën e udhëtimit. Balla argumentoi se qenia në dijeni të plotë e kryeministrit për udhëtimin e ministrit në atë që e etiketoi “fundjava e tmerrit për shkodranët, ishte fundjava e luksit për Dritan Priftin”, është sipas tij, “arsyeja pse ai e mbron Dritan Priftin, në vend që ta shkarkojë atë”.
 
 
 
Fondi
 
Komuniteti Mysliman Shqiptar, 10 mijë euro për zonat e përmbytura
 
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhuroi 10 mijë euro në llogarinë e hapur bankare për banorët e zonave të përmbytura. KMSH njoftoi se kryesia pas vendimit që kishte marrë për dhurimin e kësaj shume, nëpërmjet kryetarit të saj, Haxhi Selim Muça, ka shprehur mbështetjen dhe solidaritetin e plotë për përballimin e situatës së emergjencës në zonat përmbytura në Qarkun e Shkodrës. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë tha se ndihma të tjera do të jepen për të dëmtuarit. Ndërkaq, të premten në faljen e xhumasë do të mblidhen fonde në të gjitha xhamitë e vendit, pas sensibilizimit që u është bërë të gjitha myftinive. “Lusim Zotin që t’ua lehtësojë sprovën të prekurve nga përmbytja dhe t’i ndihmojë ata që të dalin sa më parë nga kjo situatë”, - përfundon njoftimi nga KMSH.
 
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›