E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Dy masat e qeverisë së re kundër krizës

“Ne do të kemi dhe propozime konkrete për buxhetin e vitit të ri qeverisës 2010, pavarësisht se ai tashmë ka filluar të përpunohet në Ministrinë e Financave dhe ministri të tjera, por me krijimin e Qeverisë së re ne do fillojmë të kontribuojmë për të futur në këtë buxhet disa elementë të nevojshëm që ka LSI-ja në programin e saj. Ne do të përfshijmë në këtë buxhet disa nga propozimet tona në këtë program, më konkretisht përfshirjen e një fondi të veçantë garancie për sistemin bankar për të rritur kreditimin në sektorin bujqësor dhe në atë energjetik në vend”, tha ndër të tjerash Prifti.

Ai shtoi se sektorët energjetik dhe bujqësia janë dy shtyllat kryesore, ku rritja e kredisë mund të ketë ndikim të menjëhershëm për zbutjen e krizës dhe tejkalimin e kësaj  krize.

“Fshati shqiptar është në një gjendje shumë të vështirë dhe si pasojë e krizës globale dhe si pasojë e mungesës së investimeve afatgjata në bujqësi, ndaj ne mendojmë që hapja e këtij fondi garancie nga ana e buxhetit të shtetit dhe Qeverisë për të stimuluar investimin në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, apo në industrinë ushqimore, do të ndihmojë fshatin shqiptar të kalojë këtë situatë krize”, tha më tej zyrtari i LSI-së.

Gjithashtu, Prifti tha se janë afro 100 koncesione  të ndryshme për hidrocentrale , dhe ka filluar ndërtimi i dy apo i tre prej tyre. “Pra ka një nivel shumë të ulët të investimeve në këtë sektor dhe krijimi i këtij fondi garancie bankare për këtë sektor do të nxisë investimet në këtë fushë”, vijon deklarata.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›