E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Më sulmojnë vetëm botuesit që marrin leje ndërtimi nga Rama

Tiranë, 16 gusht, NOA Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti deklaron se akuzat për pasurinë e tij vazhdojnë vetëm në ato media, botuesit e të cilave janë ndërtues që marrin lejet nga Kryetari i Bashkisë Edi Rama.

Deklarata e Priftit u bë sot gjatë një konference për mediat ku paraqiti të dhënat më të fundit për dhënien e konçensioneve. Duke ju përgjigjur pyetjes për verifikimin e pasurisë, Prifti u shpreh se çështjen ua ka lënë në dorë institucioneve.

Janë vetëm dy gazeta që vazhdojnë refrenin e Zëri të Popullit, janë të dyja me pronar ndërtues dhe vazhdojnë refrenin e gazetës partiake të PS-së, tha Prifti.

Duke u ndalur në akuzat që janë bërë nga PS-ja për pasurinë prej 1.5 milionë eurosh të deklaruar gjatë vitit që kaloi, Prifti u shpreh se është njoftuar nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive për nisjen e verifikimit të të dhënave të deklaruara.

Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive ka filluar analizimin e deklarimeve të mia të pasurisë, unë mendoj se çdo njeri që respekton ligjin duhet të presë të flasin institucionet e shtetit, u shpreh ai.

NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›