BE: Zgjedhjet nuk ishin të mira, por janë kapitull i mbyllur
Deklarata e përbashkët e Komisionerit për Zgjerimin dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së kërkon fillimin e dialogut politik, për reformën zgjedhore. BE kërkon futjen e PS-së në Kuvend ndërkohë që adreson realizimin e një sërë reformave: “Është jetike dhe urgjente të kryhen reforma elektorale dhe kushtetuese, reforma mbi rregullat dhe procedurat parlamentare”
TIRANË- Për Bashkimin Europian, zgjedhjet në Shqipëri edhe pse nuk ishin të mira, ato konsiderohen të mbyllura përfundimisht. Në përfundim të Këshillit të 3-të të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri, Komisioneri europian për Zgjerimin, Stefan Fule, përmes një konference për shtyp lexoi deklaratën e përbashkët të hartuar nga ai dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Katerine Ashton, për Shqipërinë. “Unë jam i shqetësuar për situatën politike që vijon pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri dhe për shansin e humbur të Shqipërisë, për të bërë progres thelbësor ndaj 12 prioriteteve kyçe e sfidave për rrugën drejt Bashkimit Europian. Dua t'i theksoj 3 pikat në vijim, edhe në emër të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Cathy Ashton. Së pari, ne ndoqëm nga afër zgjedhjet lokale të 2011-ës dhe do t'ju citoj qëndrimin që u është shpërndarë. Ne shënojmë me shqetësim se ka pasur debat e polarizim mbi vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor. Zgjedhjet në Tiranë nuk ishin të mira. Ata vërtetuan padyshim se Kodi Zgjedhor duhet të reformohet. Mangësitë duhet të adresohen, në mënyrë të plotë dhe konstruktive, përmes reformës elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR”, - citoi dje Fule në konferencën për shtyp. Në këtë kontekst, (duke lexuar deklaratën e përbashkët) ai ka theksuar se mirëpret iniciativën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës z. Thorbjorn Jagland, ku i kërkohet Komisionit të Venecias një opinion për të shmangur situata të tilla në të ardhmen. “Presim që kjo të mbështetet nga të gjitha palët në Shqipëri, si pjesë e një përpjekjeje serioze për të tejkaluar vështirësitë e vërejtura në zgjedhjet e fundit. Tani që Kolegji Zgjedhor ka përfunduar detyrën e tij është koha që forcat politike në Shqipëri t’i japin fund ngërçit politik dhe të rivendosin dialogun, që do të mundësonte funksionimin e rregullt të institucioneve kryesore demokratike në veçanti Kuvendit. Puna për rekomandimet e lëna nga Komisioni Europian duhet të vazhdojë në një mënyrë efektive dhe përfshirëse. Për të bërë progres drejt integrimit europian është jetike dhe urgjente të kryhen reforma elektorale dhe kushtetuese, reforma mbi rregullat dhe procedurat parlamentare si dhe reforma të tjera kyce”, - tha dje Fule. Ai theksoi se 12 rekomandimet e Komisionit duhet të adresohen në formë prioritare për të arritur progres përmes reformave, që janë thelbësore dhe urgjente. Komisioneri për Zgjerimin citoi gjithashtu se reformat e kërkuara nga Komisioni Europian kanë të bëjnë me stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, shtetin ligjor, reformën në gjyqësor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën zgjedhore, reformën e administratës publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtën e pronës. Këshilli inkurajon fuqishëm partitë politike që të tejkalojnë ngërçin aktual, duke vendosur një dialog konstruktiv dhe të qëndrueshëm, i cili garanton funksionimin normal të Kuvendit. Hapja e negociatave për anëtarësim do të bëhet vetëm pas plotësimit të këtyre reformave”, - tha dje Fule. Ndërkohë, i pyetur për Kolegjin nga përfaqësues të medias, Komisioneri për Zgjerimin në BE sqaroi se nuk mund t’i komentonte vendimet. Gjatë përgjigjeve, Fule kishte një mesazh edhe për opozitën. “Zgjedhjet u mbyllën. Së pari pres që partitë politike të reflektojnë në lidhje me 12 prioritetet kyçe të përcaktuara nga Komisioni Europian. Së dyti, ka ardhur koha për reformimin e sistemit zgjedhor. Mazhoranca duhet të krijojë një klimë të përshtatshme për përmbushjen e këtyre dy pikave kyçe. Opozita duhet të jetë pjesë e institucioneve demokratike. Pjesëmarrja në to nuk është në një linjë me përmbushjen e aspiratave të BE-së. Opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe të marrë pjesë në seancat plenare dhe komisionet parlamentare. Ka disa ligje që duan edhe votën e opozitës për tu miratuar. Besoj se kjo do të arrihet sepse është rruga më e mirë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj”, - tha ai.