Prifti dëshmon në prokurori për koncesionet e dhëna nga Ministria e Ekonomisë
Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti u rishfaq sërish në zyrat e Prokurorisë, këtë radhë për të dhënë shpjegime për të paktën 40 koncesione minerare e hidrike, të dhëna nga qeveria e Partisë Demokratike.
Prej pak kohësh, njësia Task Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka nisur një hetim të detajuar për raportin e auditit të brendshëm, të urdhëruar nga Dritan Prifti, menjëherë sapo mori detyrën e Ministrit të Ekonomisë, në shtator të vitit 2009.
Raporti mbi koncesionet është në dispozicion të akuzës, e cila ka thirrur për të disatën herë Dritan Priftin, i cili ka bërë publike një sërë skandalesh që implikojnë drejtues të qeverisë me aferat e hidrokarbureve.
Mësohet se Prifti ka shpjeguar para oficerëve të policisë gjyqësore detaje të shkeljeve të evidentuara në dhënien e të paktën 40 lejeve koncesionare minerare dhe hidrike.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se ish- ministri ka sqaruar raportin e auditit të brendshëm, të urdhëruar prej tij, menjëherë sapo mori detyrën dhe ku u gjetën shkelje në të paktën 40 koncesione të dhëna gjatë muajve korrik- gusht të vitit 2009. Sipas të dhënave të siguruara nga prokuroria mësohet se po hetohet dhënia e koncesionit të një sektori të minierës së Bulqizës pasi dyshohet që praktika ka qenë fillimisht në ministrin e Financave, e cila pa marrë vendim, ia ka kaluar ministrisë së Energjetikës, Tregtisë dhe Ekonomisë për studim nëse kishte leverdi për shtetin. Dyshohet gjithashtu se përzgjedhja e firmës fituese është bërë me shkelje deri në falsifikim të dokumenteve të aplikimit në tender.
Nga problemet e evidentuara mësohet se një ka të bëjë me mosmarrjen në konsideratë të përfitimit real të shtetit si dhe shmangien nga konkurrimi i subjekteve të ndryshme.
Kur vajta ministër jam mbytur me ankesa për ish- ministrin Genc Ruli. Kontrolli i brendshëm të ministria ka gjetur gjëra të tmerrshme. Një raport të kontrollit të brendshëm për koncesionet, ia kam çuar edhe Berishës, i cili e mori dhe ia dha departamentit të vet anti-korrupsion dhe deri më sot skam dëgjuar asnjë fjalë për këtë. Genc Ruli ka dhënë 40 koncesione gjatë dy muajve të verës në mungesën e parlamentit, pas zgjedhjeve deri në krijimin e qeverisë së re, pati deklaruar Prifti./l.ç