Prifti emëron Stojkun në krye të KESH-it
TIRANË- Një ditë pas dorëheqjes së Gjergji Bojaxhiut nga drejtimi i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, emëron zëvendësuesin e tij. Kreu i ri i KESH-it do të jetë Muharrem Stojku, i cili më parë ka qenë drejtor i Divizionit të Prodhimit në këtë korporatë.
Dorëheqja e ish-Drejtorit të KESH-it erdhi një ditë pas publikimit të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili pas konstatimit të një serë shkeljesh kishte kërkuar që t'i jepej paralajmërim për largim nga puna për disa drejtues të KESH-it ndër të cilët përshihej edhe emri i tij.
Për t'u theksuar është se në listën e drejtuesve të KESH-it për të cilët ishte kërkuar paralajmërim për largim nga puna, krahas Bojaxhiut, ishte edhe i sapoemëruari në krye të kësaj korporate, Muharrem Stojku.
Akuza për zyrtarët e cituar në raport bazohet në një serë mangësish dhe shkeljesh të akteve ligjore e nënligjore në fuqi, duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit.
Gjatë prezantimit të kreut të ri të KESH-it, ministri Prifti e cilësoi dorëheqjen e Bojaxhiut si një akt personal të tij dhe se nuk kishte ishte vënë më parë në dijeni për këtë çështje. "Dorëheqja ka qenë surprize, pasi nuk kemi pasur asnjë komunikim më parë se Bojaxhiu do të jepte dorëheqjen.
Që prej ardhjes sime në drejtim të METE-s, kemi patur një komunikim normal. Nëse ai e ka bërë këtë zgjedhje për diskutimin që do të behej për raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit ajo është puna e tij. Për sa kohë ai ka qenë në drejtim të KESH-it, ka pasur arritje",- tha Prifti.
Një ditë para se Gjergji Bojaxhi të jepte dorëheqjen, ministri Prifti kishte shkarkuar anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të KESH-it duke i zëvendësuar menjëherë ata. Ditën e shtunë, ish-Drejtori i KESH-it, Gjergji Bojaxhi, deklaroi publikisht dorëheqjen nga drejtimi i korporatës me arsyetimin se e kishte mbushur misionin për të cilin ishte emëruar dy vite më parë në atë post nga Kryeministri.
"Dy vite më parë, kur më emëruan në këtë post më kërkuan tri gjëra. Energji elektrike 24 orë, privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe mirëmenaxhimin e Korporatës. Me realizimin e tyre, misioni im u përmbyll", - tha Bojaxhi.