Balla: Nuk ka pengesë ligjore për hapjen kutive
Deputeti i PS-së, Tauland Balla, sqaroi se ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet nuk ka si qëllim marrjen e një vendimi të ri për zgjedhjet, por transparencën e procesit.
TIRANË- Kutitë e votimit duhet të hapen dhe për këtë kërkesë nuk ka asnjë pengese ligjore. Ky është qëndrimi i deputetit të PS-së, Tauland Balla, i cili në një konferencë për shtyp, deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj për transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit.
"Sali Berisha duhet ta ketë të qartë, se nëse pretendon se është Kryeministri i një mazhorance legjitime, në asnjë rrethanë, në një vend demokratik, nuk mund të pengojë opozitën në hetimin dhe zbardhjen e të vërtetave që ndodhen në kuti. Refuzimi i kërkesës për zbardhjen e zgjedhjeve, refuzimi i këtij kushti bazë për ekzistencën e demokracisë është prova më e qartë e masakrës elektorale që fshihet në kutitë e votimit.
Gjithçka që ne kërkojmë është transparenca, hetimi, dhe administrimi i të gjitha materialeve zgjedhore që janë në kuti, si lista, procesverbale apo edhe fletët e votimit. Nuk ka asnjë rrethanë ligjore, që të pengojë marrjen e çdo informacioni, që do të kërkojë komisioni hetimor, pasi nuk ka asnjë pengesë ligjore që të ndalojë hapjen e kutive për qëllime hetimore",- tha dje Balla.
Duke iu përgjigjur pretendimit të vazhdueshëm të kryeministrit Sali Berisha, se me këtë kërkesë, po kërkohet, që të zëvendësohen gjykatat, Balla theksoi se ngritja e komisionit hetimor (ku kërkohet edhe hapja e kutive të votimit) nuk mund të marrë vendime për rezultatin e zgjedhjeve.
"Ajo ç'ka kërkojmë është brenda kuadrit kushtetues e ligjor që ka një komision hetimor, bazuar edhe në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilave e drejta e Parlamentit për të ngritur komisione hetimore është një prerogativë dhe një mjet i domosdoshëm, që i nevojitet Parlamentit për të ushtruar dhe perfeksionuar pushtetin e tij legjislativ.
Shqipëria nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe demokratike, nëse nuk hetohen zgjedhjet e 28 qershorit, prandaj ne nuk do të tërhiqemi nga kushtet tona",- tha Balla. Ai shtoi se, nuk mund të ketë zgjedhje demokratike në Shqipëri, kur ndryshe votohet dhe ndryshe numërohet.
"Nuk mund të ketë zgjedhje të lira në Shqipëri, kur njerëzit hiqen nga puna se votojnë opozitën, apo kur burgjet zbrazen nga superkriminelët që shkojnë të vjedhin vota për pushtetin.
Nuk do të kemi ndonjëherë zgjedhje legjitime në Shqipëri, kur pushteti tremb popullin me presione, apo kur vriten deputetët e opozitës. Sali Berisha e di mirë, se partia më e madhe e shqiptarëve, Partia Socialiste, do të mbrojë me çdo kusht demokracinë dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Shqipëria nuk meriton të ketë zgjedhje si Irani dhe një kryetar qeverie si Ahmadi Nexhadi. E ardhmja evropiane e Shqipërisë është në rrezik nga ky burokrat i vjetër punist, hajdut i votave, i trojeve dhe financave publike",- tha ai.