Prifti, letër në prokurori pas kërcënimeve me jetë
Dritan Prifti, ish-ministër i Ekonomisë ka reaguar sot publikisht për një letër që ai i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme. Prifti në letër mësohet se ka kërkuar mbrojtje pasi ka marrë kërcënime për jetën. Reagimi i Priftit erdhi pas publikimit të lajmit për letrën nga organi i Partisë Demokratik RD.
Me vjen shumë keq për një shkrim te pavërtete dhe abuziv të gazetës Rilindja Demokratike botuar sot. Kjo gazete ka shpifur dhe mashtruar për çdo gjë që ka shkruar, nga fillimi në fund. Unë i kam shkruar Prokurores se Përgjithshme një letër tepër sekrete, për disa shqetësime personale lidhur me sigurinë time, për të cilën kërkova të hetohet. Kam marrë telefonata dhe SMS për dënim me vdekje dhe jam shumë i shqetësuar, ka reaguar Prifti.
Lidhur me atë shkruhet so tek RD ka reaguar edhe Prokuroria. Në komunikatën për shtyp sqarohet se lajmi nuk është i vërtet ndërsa për letrën e Priftit thuhet se ajo është trajtuar zyrtarisht.
Duke marrë shkas nga elementët denigrues dhe të pavërtetë që janë shprehur në këtë media, Prokuroria e Përgjithshme, bën me dije se deputeti Dritan Prifti, ka dërguar një letër Prokurorit të Përgjithshëm, porse përmbajtja e saj është tërësisht e ndryshme nga ajo çfarë thuhet në këtë gazetë. Kjo letër është trajtuar zyrtarisht e është protokolluar sapo ka ardhur në Zyrën e Protokollit në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe si dokument është e do të mbetet në arshivën e këtij institucioni. Me këtë rast, Prokuroria e Përgjithshme, shprehet se është e vendosur të kryejë detyrën e saj kushtetuese pavarësisht insinuatave të ndryshme që synojnë të devijojnë angazhimin e prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë në hetimin e çështjeve që janë dhe në fokus të vëmendjes së opinionit publik, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme.