E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prilli i Fatmir Limajt!

Së paku tri herë vetëm brenda muajit pill, ish-komandant “Çeliku” e njëherazi ish-ministri i Transportit dhe Postë-Telekomit të Kosovës, Fatmir Limaj, do të ulet në bankën e të akuzuarve. Përveç që do të ulet në cilësinë e të akuzuarit për kryerjen e krimeve të luftës në kohën sa ka qenë komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ai do të përballet edhe me akuzat e Prokurorisë për korrupsion gjatë kohës sa ka qenë ministër i Transportit.

Fatmir Limaj së bashku me Florim Limajn, Demir Limajn, Endrit Shalën e Nexhat Krasniqin më datën 8 dhe 9 prill do të përballen, do të përballen me akuzat e prokurorisë për veprat penale që lidhen me korrupsion, krim të organizuar, shpërlarje parash, shpërdorim të pozitës zyrtare e lidhje të kontratave të dëmshme.

“Kryetarja e trupit gjykues në rastin e Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit për datat 8 dhe 9 prill ka caktuar Shqyrtimin Fillestar, bazuar në nenin 245 të Kodit të ri të Procedurës Penale të Kosovës, ku ajo do të shqyrtojë aktakuzën dhe, ndër të tjera, do të vendosë për pranueshmërinë e provave”, ka njoftuar zëdhënësi i misionit evropian për sundim të ligjit EULEX, Blerim Krasniqi.

Me datën 18 ndërkaq do të fillojë rigjykimi në rastin “Kleçka” dhe atë pas shpalljes si të papranueshme dëshmitë dhe deklaratat e dhëna nga dëshmitari tashmë i vdekur Agim Zogaj, i koduar si dëshmitari “x”.

Por pavarësisht se të dyja gjykimet fillojnë me pak ditë diferencë, Krasniqi ka sqaruar se për rastin e korrupsionit do të mbahen vetëm dy seanca rreth pranueshmërisë ose jo të provave dhe më pas rasti do të gjykohet tek pas përfundimit të procesit për krime lufte i koduar si rasti “Kleçka”.

“Megjithatë, gjykimi në rastin e MTPT-së nuk do të fillojë para se të përmbyllet gjykimi në rastin Kleçka. Shqyrtimi do të zhvillohet në Gjykatën Supreme të Kosovës, në mungesë të sallave në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, ka sqaruar Krasniqi.

Por, pavarësisht se a do të mbahen në të njëjtën periudhë kohore që të dyja gjykimet kundër Limajt për ekipin mbrojtës kjo nuk paraqet problem. Së paku kështu shprehet, njëri nga mbrojtësit e tij, avokati Tomë Gashi.

“Kjo nuk do të jetë problem për shkak se Limaj dhe mbrojtja e tij e kanë strategji të vërtetën dhe këtë të vërtetë të shndërruar në fakte. Kështu që pa marrë parasysh se sa akuza janë që në këtë rast janë dy, mbrojtjes nuk do t’i paraqitet kurrfarë problemi juridik, organizativ apo teknik për mbajtjen e dy gjykimeve qoftë edhe në të njëjtën kohë”, ka sqaruar avokati Gashi.

Mbajtja e gjykimeve në një afat sa më të shpejtë, sipas Gashit është në favor të Limajt për shkak se sipas tij, Limaj po mbahet në paraburgim në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë që nga 24 nëntori i vitit të kaluar.

“Sa i përket rastit të MTPT tashmë është e ditur se kemi të bëjmë me montim e falsifikim të mesazheve telefonik ndërsa sa i përket krimeve të luftës, mbrojtja do ta ketë si pikënisje aktgjykimin lirues të majtit të vitit të kaluar që është nxjerrë nga gjyqtarët ndërkombëtarë EULEX-it. Mbrojtja edhe pse e ka të ditur se kemi të bëjmë me rast politik, është e bindur se nuk mund të ketë epilog tjetër pos epilogut të njëjtë dhe ky është aktgjykim lirues”, ka përfunduar Gashi.

Për veprën penale të krimeve të luftës, Limaj do të gjykohet bashkë me ish- bashkëluftëtarët e tjerë të tij. Për të gjithë këtë grup që akuzohen se kanë kryer krime lufte në Kleçkë në vitin 1999, vitin e kaluar nga gjykata e Qarkut ishte shpallur aktgjykim lirues. Gjykata Supreme e kishte prishur këtë vendim dhe me vendimin e nxjerrë kishte kërkuar rigjykim dhe i kishte shpallur të pranueshme provat dhe deklaratat e dëshmitarit “X”. Ky vendim i Supremes ka bërë që tashmë më 18 prill të nis rigjykimi ndaj Limajt dhe të tjerëve./Zëri/

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›