E Shtunë, 31 Tetor 2026

Primo Shllaku: Ne jemi bla-bla nëpër kafene

Instituti i Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe i drejtuar nga poeti Shllaku:


"Shqipja po bjerret. Krijojmë këtë institut për të promovuar ndër të tjera gegërishten dhe letërsinë e saj."

Në një takim me shkrimtarë, gjuhëtarë, studiues, përkthyes, artistë, anëtarët e Institutit të Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe prezantuan qëllimin që ky institut ka: promovime dhe veprimtari sidomos për "aktivizimin e gegërishtes si dialekt e ekspresion i kultivuar letrar", për mbështetjen e krijuesve të rinj, për botime antologjike të poetëve, prozatorëve dhe dramaturgëve shqiptarë.


Në këtë bisedë, drejtori ekzekutiv i Institutit, Primo Shllaku shpjegon pse u hap ky Institut dhe çfarë konkretisht ka ndërmend të përmbushë.

Çfarë nevojash synon të përmbushë hapja e Institutit?


Kultura Shqiptare gjallëron në mënyrë të vetvetishme. Është e lënë si një barkë të cilës i është thyer timoni. E dyta ka shumë mungesa. Ne nuk kemi një gazetë, nuk kemi kritikë, nuk kemi institucione të gatshme për të pritur produktin e ri, për ta klasifikuar atë dhe epokat. Instituti ynë ofrohet për të mbushur ndonjë prej këtyre boshllëqeve. Synimi i tij është nxjerrja në pah e vlerave në gjuhën shqipe.


Gjuha shqipe ka leksikun, frazeologjinë, gramatikën, shprehjen, muzikalitetet të cilat nuk promovohen sa duhet. Institutet që ekzistojnë këtu janë institute që merren me korrigjime të drejtshkrimit. Me vlera në gjuhën shqipe ne konsiderojmë edhe kur ajo nuk është në vetvete si e tillë, por materiali i parë që krijon, letërsia, proza, poezia, tekstet.


Për çfarë vlera të shqipes e keni fjalën?


Nëpër shekuj shqipja ka kaluar nëpër ngushtica dhe kanione, ka dalë e zvogëluar, e varfëruar, e rrënuar. Tani ne po futemi me dëshirë në Evropën e Bashkuar dhe kjo dëshirë e madhe e jona mbështetet vetëm tek prosperiteti ekonomik që premton kjo futje, por jo tek prosperiteti kulturor.


Ky është edhe shqetësimi ynë më i madh. Do ta lëshojmë kulturën tonë për kozmopolitizëm? Ky shqetësim, jo vetëm i imi, por edhe i shumë intelektualëve, është një ndër pikësynimet e institutit tonë.


Cilat janë pikat e forta të programit tuaj?


Ndër përparësitë tonë është krijimi i një kolane të antologjisë poetike të letërsisë shqipe qysh prej fillimi e deri sot, deri tek produkti i tranzicionit.


Një kolanë të gjatë me antologji. Kjo punë i jep nxënësit mundësinë për të njohur krijimet më të mira të një autori. Kjo do të ketë një ndikim shumë të mirë, sipas mendimit tonë edhe për shkollat.


Kemi synim të hapim një gazetë që të jetë tribun edhe e produktit të ri, edhe të produktit kritik. Nuk ka kritikë letrare, nuk pasqyrohet krijimtaria letrare. Ne jemi bla-bla nëpër kafene, pjesa jonë më e mirë hidhet si ambalazh. Gjithashtu, krijuesit e rinj do të ftohen në mbrëmje poetike.


Deri më sot përshëndeten vetëm autorët që kanë ardhur nga periudha e socializmit. Mendohet që nuk ka më poetë. Vihet re një hegjemonizëm, një luftë bërrylash në art. Ne do të mundohemi për ta pluralizuar dhe të afrojmë sa më shumë krijues afër vetes.


Do të monitorojmë përkthimet e filmave serialë, gazetat. Nëse ne aplikojmë gramatikën dhe rregullat e anglishtes në gjuhën shqipe, ne po futemi në BE për ta dorëzuar shqipen dhe kulturën tonë. Po bjerrim gjuhën.


Po për gegërishten, si është menduar të promovohen vlerat e saj?


Kultura shqiptare duhet të ndryshojë taktin ndaj gegërishtes dhe duhet ta pranojë atë si gjuhë si pasuri e madhe kombëtare e cila ka krijuar, krijon edhe eventualisht po vazhdon të krijojë. Ne do të promovojmë këtë lloj letërsie. Analizat që do të bëjmë e promovojnë gjuhën.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›