Princi Harry dërgohet me mision në Afganistan
Lufta
Pas festave të çmendura të Vegasit, princi do të hedhë bomba mbi talebanët
Princi i Britanisë së Madhe Harry, i cili drejton një helikopter Apache, mbërriti në Afganistan në një bazë në rajonin Hemland. Princi 27-vjeçar, i cili është i treti në radhën e fronit të Mbretërisë së Bashkuar, do të marrë pjesë në misione luftimi kundër talebanëve. Ky është raundi i dytë i shërbimit në Afganistan për të. Herën e kaluar, në vitet 2007-2008, ai kaloi 10 javë në zonë lufte, por u tërhoq pasi media zbuloi dërgimin e tij në Afganistan, gjë që ishte mbajtur sekret për arsye sigurie.
Kapiteni i Uellsit, siç njihet në qarqet ushtarake, ishte pjesë e një skuadroni me 100 vetë me numër 662 të regjimentit të tretë të Forcave Ajrore.
Kapiteni përgjegjës Jock Gordon tha se princi do të ketë një punë të vështirë dhe të rrezikshme. Harry është anëtari i parë i familjes mbretërore në mision luftimi që nga koha e xhaxhait të tij, princit Andrew, i cili mori pjesë në luftën e ishujve Falklands.
Ushtarakët e konsiderojnë drejtimin e helikopterëve Apache si një punë me normë rreziku të ulët. Princi do të ketë për detyrë të hedhë bomba në mbështetje të trupave tokësore. Herën e kaluar, media britanike kishte rënë dakord me Ministrinë e Mbrojtjes të mos e publikonte lajmin për të shmangur kthimin e princit në një objektiv të vlefshëm propagandistik për talebanët.
Princi Harry ka qenë në vëmendjen e medias rozë gjatë kohëve të fundit, pasi disa foto të tij nga një festë në Vegas u publikuan në internet. Në foto princi shfaqej lakuriq në shoqërinë e disa vajzave, që supozohet se mund të jenë prostituta. Ushtarët britanikë u solidarizuan me princin, duke pozuar lakuriq në masë.
Princi Harry dërgohet me mision në Afganistan burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip