Reeker takim me Metën: Të konsolidohet pavarësia e institucioneve
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, z. Philip Reeker, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, ka zhvilluar një takim me kreun e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Zyra e shtypit të LSI-së ka sqaruar se gjatë takimit është diskutuat mbi zhvillimet e fundit politike në vend, duke i kushtuar fokus të veçantë përshpejtimit të axhendës së reformave dhe përmbushjes së prioriteteve në funksion të integrimit evropian të Shqipërisë.
Theksi i takimit është vënë tek domosdoshmëria e konsolidimit të pavarësisë së institucioneve, lufta kundër korrupsionit, heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe tek marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Meta është shprehur se marrja e statusit të vendit kandidat, do ishte një zhvillim pozitiv jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin.
Z. Reeker shprehu mbështetjen e SHBA për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë si dhe vëmendjen e veçantë që SHBA i kushton ecurisë së reformave dhe konsolidimit të pavarësisë së institucioneve në vend.
Në përfundim të takimit, z. Meta dhe z. Reeker ndanë mendimin e përbashkët se përshpejtimi i reformave të nisura kërkon më tepër përgjegjshmëri politike nga të gjitha palët, duke vënë theksin në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve dhe në votimin për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.
8 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)
Reeker takim me Metën: Të konsolidohet pavarësia e institucioneve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip