E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prioriteti ynë për funksionimin e një sistemi ujitës modern

Ujitja e tokave bujqesore është bërë një angazhim i madh i Qeverisë Shqiptare dhe veçanërisht i kryeministrit Z. Berisha. Ky angazhim u duk qartë në takimin e organizuar ditët e fundit nga kryetari i Qeverisë me drejtues te Ministrisë Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatori. Një angazhim i tillë për ujitjen e tokave bujqesore ra në sy  edhe gjatë fushatës elektorale të kryeministrit tonë në të gjitha zonat e vendit që ai shkoi  Mirëpo nuk ka qenë një premtim elektoral por një angazhim shumë serioz i kryeministrit, i cili me sa duket është vendosur në krye të radhës së premtimeve që ndiqen rigorozisht prej tij. Kjo nënkupton vizionin e Qeverisë aktuale se bujqësia shqiptare ka qenë dhe mbetet ndër prioritetet kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit. Sistemi i rrugëve,  turizmi, bujqësia, sistemi energjitik nuk reshtin për asnjë moment nga angazhimet e kryeministrit Berisha. Rrugët tashmë në Shqipëri nuk njohin ulje të ritmeve të ndërtimit të tyre në çdo skaj të vendit. Edhe energjia është vënë në rrugën e shtimit të shpejtë të saj. Turizmi në sajë të një sistemi rrugor bashkëkohor për çdo ditë bëhet edhe më kreativ. Tani mesa duket është bujqësia ajo që do ta bëjë vendin më të lulëzuar. Por për ta bërë sa më shpejt bujqësinë e vendit të lulëzojë duhet punuar vazhdimisht e sidomos me tokën dhe me gjithëçka që kultivohet në të. Një gjë e tillë dihet se dhe “Roma” nuk është ndërtuar për një ditë. Në mandatin e parë të qeverisë (2005- 2009) edhe në bujqësi është punuar në mënyrë të lavdërueshme, mjafton të  përmendim vetëm disa aspekte të punës së saj siç janë sistemimi dhe thellimi i shtratit të lumit të Drinit të Lezhës, puna për  funksionimin normal të kanalit të ujrave të larta të Durrësit, vënia në kushte kullimi të plotë sipas projekteve të disa kanaleve të rendit të parë në Lushnjë, Fier, Vlorë, Korçë e  gjetkë. Por “Roma” nuk u ndërtua për një ditë. Puna me tokën, ujin dhe bimën është një proces i vazhdueshëm në të gjitha stinët e vitit. Mbjellja e miliona rrënjëve ullinj në zonat  ku e do vendi dhe klima është një ide brilante e kryeministrit Berisha. Aq e vërtetë është kjo sa shumë personalitete të vendeve të huaja kanë shprehur habinë e tyre për një inisiative kaq të madhe për një territor të tillë si ky i yni. Shtimi i sipërfaqeve të mbjella me vreshta dhe drurë frutorë të tjerë është një ndryshim i dukshëm dhe premtimi më i mirë se bujqësia jonë shumë shpejt do ta lulëzojë Shqipërinë.   

Por, pa u zgjatur në atë çka është bërë deri tani, le të kthehemi te angazhimi i qeverisë dhe i kryeministrit Berisha për ujitjen e tokave bujqësore, kur dihet se reshjet në vendin tonë, edhe pse janë të konsiderueshme në sasi dhe arrijnë vlerën mesatare vjetore rreth  1500 milimetra, 80 përqind e tyre bien në stinën me lagështi (tetor- mars), atehere kur nevojat për ujë janë gati të papërfillshme. Shpeshherë intensiteti i lartë i këtye reshjeve që bien në zona të caktuara krijon një lagështi  të tepërt, që mund të evitohet vetëm duke patur kushte kullimi eficente. Në muajt e verës dhe sidomos gjatë korrikut deri në shtator bien shumë pak reshje, të cilat në zonat e ulëta bregdetare, që janë më shumë të kultivuara, ato arrijnë nga 60 deri në 120 milimetra. Këto të dhëna tregojnë për paqëndrueshmërinë e madhe të këtij faktori klimaterik gjatë verës dhe që ndikon negativisht për një bujqësi të qëndrueshmei. Theksohet se vendi ynë përshkohet nga një  rrjet i admirueshëm hidrografik prej të cilit çdo vit derdhen në det mesatarisht 30 milionë  m3 ujë. Këto prurje kaq të mëdha të lumenjve e të përrenjve në nje territor të tillë mund të shfrytëzohen fare mirë për ujitjen, bazë kjo  mbi të cilën  janë  hartuar  edhe projektet  e shfrytëzimit në vitet e shkuara. Prurjet e tyre qofshin këto edhe minimale në stinën e verës janë të mjaftueshme për të ujitur sipërfaqet e mbjella, në varësi nga rrjeti i ndërtuar për këtë qëllim. Sistemet ujitëse të ndërtuara nga periudha e pas Luftës së Dytë Botërore e më pas, deri në fillim të viteve nëntëdhjetë sic janë, kanali “Naum Panxhi” në Elbasan, ai i Myzeqesë së Madhe në Lushnje, i Penkovës dhe Lubonjës në Vlorë, i Urës së Kuçit në Berat, i Vile-Drojes në Dibër, i Krasniqes në Tropojë, i Shtiqnit në Kukës, i Berzhitës në Tiranë, i Postribës në Shkodër, i fushës së Kavajës etj, kanë funksionuar normalisht  në kushtet e një ekonomie të centralizuar. Ndërsa sot sisteme të tilla ujitëse duhen parë  me kujdes të madh se sa funksionale  mund të jenë. Gjithsesi mund të duhen ndërhyrje të tilla që ofrojnë zgjidhje më të mira për realizimin e projekteve e studimeve nga  specialistë të fushës përkatëse, projekte këto që mund të bëhen edhe më funksionale. Në këto raste zgjidhjet më të mira jepen nga projektuesit duke bashkëpunuar me përfituesit e ujit, përfaqësuesit e pushtetit vendor (specialistë) dhe vecanërisht me ata të Bordeve të Kullimit, si njohësit më me përvojë të funksionimit të rrjetit ujitës e kullues. Krahas sistemit ujitës me rrjedhje të lirë në zonën fushore, ekziston edhe një sistem tjetër ujitjeje, i ndërtuar në zonën kodrinore- malore në kushte ndoshta më të vështira, siç janë p.sh rezervuarët ujitës të ndërtuar për grumbullimin e ujit nga reshjet e shiut dhe në disa raste ku furnizimi tyre është parashikuar të bëhet nga lumenjtë. Këta rezervuarë janë në gjendje  teknike të tillë që sigurojnë ujitjen e sipërfaqeve të parashikuara në projekte. Ndër këto vepra më kryesoret janë ujitja e fushës së Zadrimës me 10 mijë ha, Bregu i Matës me 7000 ha, Thumana me 12 mijë ha, fusha e Durrësit me 8000 ha, Myzeqeja e Madhe e Lushnjës me 350 mijë ha, e cila burimin e ujit e merr nga rezervuari me i madh i vendit, ai i Thanës me 65 milionë metra kub ujë, ujitja e Roskovecit me sipërfaqe 10 mijë ha që furnizohet nga rezervuari i Kurjanit dhe me një volum prej 25 milionë metrakub ujë, Libofshë- Divjaka me 10 mijë ha, Vurg-Mursi me 9000 ha, faza dytë e Maliqit dhe një pjesë e fushës së Korçës me 6000 ha, kanali i madh Vjosë-Levan- Fier me aftësi ujitëse 15 mijë ha, pa u ndalur këtu në shumë vepra të tjera ujitëse të ndërtuara me mendim të shkëlqyer tekniko-shkencor si ajo e zonës malore “Çidhna” në Dibër me sipërfaqe prej 1500 ha. Natyrisht që, edhe këto sisteme  ujitëse do të kenë nevojë për ndërhyrje, por gjithçka që duhet për t’i bërë funksionale është se duhet mbështetur  mbi bazen e projekteve të përgatitura me përgjegjësi të madhe teknike e pse jo dhe shkencore. Më pas ujitja është shtrirë edhe në zonat e larta e të thella të vendit duke bërë të mundur të rritet  sipërfaqja nën kulturë. Nga një vepër e tillë si ajo në zonën kodrinoro - malore të Hasit janë ujitur më parë 13 mijë ha, në Mallakastër 9000 ha, në zonën Skraparit 5400 ha, në Dumre 6000 ha, dhe shumë të tjera si këto. Që këto vepra ujitëse të cilat janë ndërtuar me kontributin e shqiptarëve të përvuajtur gjatë sistemit më të egër monist kanë nevojë të ndërhyhet me studime dhe projekte të veçanta për secilën vepër më vete dhe pas kësaj të arrihet në konkluzion se cfarë duhet bërë më tej. Një gjë duhet  të mbahet parasysh se në Qeverinë e drejtuar nga Z.Berisha askush nuk mund të nxjerrë fonde pa patur dhe paraqitur më parë projekte e preventiva të studiuara mirë. Një gjë të tillë kryeministri e ka thënë gjer në lodhje. Kryerja e studimeve dhe projekteve për një sistem ujitjeje modern për bujqësinë kërkon të njëjtin angazhim edhe për faktin se një pjesë e konsideruar e popullsisë tonë jeton në këto zona dhe prioritet ka bujqësinë. Sot mund të themi se në shkallë vendi e gjithë toka e punueshme ka një rrjet të saj ujitës, pavarsisht se është në funksion apo jo. Kjo është një çështje që i duhet kushtuar vëmendje e veçantë. Një numër i madh rezervuarësh (të projektuar 730) dhe të shtrirë në të gjithë territorin e vendit me kapacitet ujëmbledhës 400 milionë metrakub, janë një pasuri jashtëzakonisht e madhe për vendin tonë.

Perspektiva e një ujitjeje të zhvilluar dhe të qëndrueshme e tokave bujqësore dikton marrjen parasysh të aspekteve të reja që dalin në kushtet e një toke të fragmentarizuar.   Teknikat e ujitjes për teknologji të reja, është një drejtim i punës kërkimore shkencore të institucioneve të ngritura posaçërisht për këtë qëllim. Pa u ndalur në punën kërkimore–shkencore e cila më shumë se çdo gjë tjetër kërkon njohuri dhe përkushtim, duhet më parë të nis nga përgatitja e një programi veprimi të detajuar vetëm për ujitjen e tokave  me fondet, mjetet dhe specialistët përkatës të detajuar se ç’do të bëhet në çdo vit. Një program veprimi për ujiten, kullimin, mbrojtjen e brigjeve të lumenjve është bërë nga Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për periudhën e qeverisjes së katër viteve që janë duke u mbyllur, por kërkesa e kryeministrit Berisha për funksionimin e një sistemi ujitës modern kërkon ide të reja dhe veprim të shpejtë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›