Sindroma e udhëheqësit s’prodhon dot politikanë modernë në PS
Shumë shkruhen, e më shumë thuhen korridoreve, qosheve, kafeneve, vesh më vesh që të mos i dëgjojnë, për fatin partiak të Edi Ramës. Të gjitha thëniet e shkruara e gojore kanë (çuditërisht) një emërues. -Edi Rama humbi dhe duhet të mos rikandidojë më për kryetar partie!!! Dhe-si librin e shenjtë të Betimit - të gjithë thënësëkundërtit e Ramës i referohen statutit partiak.
Rithjeshtohet kështu çështja dhe rizgjedhja e Kryetarit të PS është thjesht një problem (teknik) statuti dhe jo me karakter politik. Unë do ilustroj shkrimet dhe pohimet me një thënie të publikuar nga Kastriot Islami në gazetën “Panorama” dje. “... Debati politik në Asamble u zhvillua pa asnjë dokument minimal paraprak për zgjedhjet ...”. Me fjalë të tjera, Islami do të thotë se Edi Rama e shpërfilli të gjithë Partinë Socialiste, shpërfilli gjithë strukturat partiake, shpërfilli vetë kushtetutën partiake. Që të mos humbasë karriken e kryetarit të PS. Kjo qenka bërë dilema hamletiane e politikës së PS në Gushtin e Thyer socialist. -Të rrojë apo të mos rrojë si kryetar Edi Rama në PS?
Pyes gjithë ata që sot e kanë shumë të lehtë, sepse u është zgjidhur goja e dora të thonë e të shkruajnë kaq lirshëm kundër liderit partiak Edi Rama. Dje, Ju, të gjithë, ku ishit? Përse keni heshtur? Vallë, Edi Rama - si kryetari i PS - mëkatet politike të humbjes së PS në zgjedhje i mëkoi pas 28 qershorit? Shumë thashethemexhinj, intrigues partiakë të PS papagallisin sot të njëjtat e të njëjtat... -Edi Rama humbi zgjedhjet, dhe në bazë të statutit të pranojë dorëheqjen nga kryetarllëku. Thua, se dorëheqja apo largimi i Edi Ramës nga kryetari i PS, do ta shpëtojë partinë e komunistëve nga epidemia e gripit të karrikes së kryetarllëkut?
Dhe-sigurisht të pazotë, të pakurajo- gjithë këta “trima” të sotëm që kritikojnë hapur Edi Ramën – deri dje i thurnin lavde mitit dhe dogmën e kryetarllëkut të PS - bëhen loloçë të së vërtetës politike. Askush nuk guxon të thotë hapur, politikisht: -Përse humbi Edi Rama?
Dhe - ka edhe disa loloçë politikanë - që vetëpotretizohen si loloçë politikë derisa vetëshpjegohen përse janë dëftuar - deri më sot - loloçë politikanë.
Ja shpjegimi i Kastriot Islamit, që vetshpjegohet përse deri tani nuk guxoi kurrë që të kritikonte kryetarin e PS Edi Ramën, atëhere, kur Edi Rama nuk udhëhiqte PS, po shalonte PS.
K.I: “...Përse thuhen të gjitha këto (dmth kritikat kundër Edi Ramës sot), ndërkohë kur më parë pothuajse të gjithë (dmth këta socialistë) që sot kritikojnë Edi Ramën kanë heshtur?... .... një të justifikueshme, për të mbështetë pa asnjë lloj rezerve e pengese Edi Ramën drejt fitores, por kur kam parë që shumica ka menduar e vepruar ndryshe, kam hequr dorë e kam pranuar vendimin e shumicës...
...Për sa i përket asaj që disa kanë folë kur duhet heshtë, personalisht, nuk kam thurrë lavde kur më duhej të heshtja, sëmundje kjo jo pak e përhapur midis nesh...”. Kastriot Islami vetësimbolizohet sot në gjithë ata antiRamë në PS, për të mirën e PS... Apo për t’u vetëdëftuar trim pas humbjes?
Të gjithë këta antiRama të PS-sot - nuk duan qëllimisht të pranojnë një të Vërtetë Politike: Edi Rama humbi në zgjedhje, sepse si udhëheqës i PS nuk ka personalitetin e udhëheqësit.
Kjo është e gjithë analiza politike. Këtu burojnë të gjitha të këqijat e humbjes politike të PS. Që një Parti Politike të fitojë në zgjedhje, duhet që Udhëheqësi të ketë Personalitetin e Fituesit. Zgjedhësit, votuesit, nuk u besojnë më fjalëve, propagandave, demagogjive.
Udhëheqësi politik u jep shpresën e së Ardhmes votuesve nga lartësia e Personalitetit të vet Politik.
Personaliteti Politik i Udhëheqësit përbëhet nga Morali (te Edi Rama kujto fotot nude), nga Ndërgjegja (te Edi Rama ballafaqo akuzat për korrupsion ekonomik në bashkinë e Tiranës), nga besimi i Fjalëve që thotë (kujto te Edi Rama ripërsëritjen e të njëjtave fjalëve bosh në çdo fshat ku brodhi me Dialogun e Madh), nga Largpamësia politike që rrezaton Personaliteti i tij udhëheqës (kujto te Edi Rama përçarjen e gjithë të Majtës socialiste), nga Mirëbesimi që dëfton për Njerëzit në përgjithësi dhe për bashkëpunëtorët në veçanti (kujto spastrimin politik në vetë PS nga Edi Rama), nga Gjakftohtësia politike (kujto arrogancën qytetare të Edi Ramës ne çdo bashkëbisedim me njerëzit) nga Imazhi politik që ngjall te populli për të Ardhmen (kujto që numri 2 i PS është ministri i rendit publik të qeverisë të Ramiz Alisë, i cili organizonte më 1991 kryengritjen e Jugut për të gjakosur Lëvizjen Demokratike në Tiranë).
Edi Rama - si udhëheqës i PS në katër vitet e kaluara - nuk dëshmoi asgjë nga cilësitë që karakterizojnë Personalitetin e Udhëheqësit. Cili nga socialistët - kritikmëdhenjtë Edvinistë socialistë - guxojnë që të kritikojnë për këto mungesa të cilësive që karakterizojnë Personalitetin e Udhëheqësit Edi Ramën?
Edi Rama po të ishte dëftuar Udhëheqës me Largpamësi Politike dhe të ishte në krye të së Majtës, nuk do të kishte mungesën e 80 mijë votave të LSI-së.
Të gjithë këta socialistë - a nuk vetëkarakterizohen në loloçë analistësh politikanë, derisa vetëpranojnë - sikurse edhe Kastriot Islami - që “...mbështesnin pa rezervë e pa pengesë Edi Ramën....dhe kur shumica ka menduar e vendosur ndryshe kam heqë dorë e kam pranuar vendimin e shumicës.....
Vetëkarakterizimi dhe vetëpotretizimi (ju ilustrova shembullin e Kastriot Islamit) i socialistëve kritikëmëdhenj të Edi Ramës sot (ka rëndësi të madhe politike theksimi - Sot!) në loloçë analistësh politikë dëshmon edhe pjesën tjetër - të errët - të hemisferës së Të Vërtetës së PS sot!
Të gjithë të sotmit shkruajnë e flasin gjuhën e uthullt të cilësimeve propagandiste demagjogjike. Këta socialistë kokoroçë janë më bosh, më të mangët se vetë Edvini. Askush nga socialistët kritikëmëdhenj nuk ka folë - deri më sot - për progam politik të tjetërsojshëm nga Edvini, që të ngjallë mirëbesimin popullor. Edhe midis tyre, socialistët kritikëmëdhenj po garojnë me njëri-tjetrin, se cili është më i gjuhëuthullt për Edi Ramën. Gjuhëuthullsia ndaj Edvin Ramës e secilit nga kritikëmëdhenjtë e sotëm edvinistë do të dallojë më të dalluarin për Udhëheqës të ri të PS. Ky do të jetë kriteri i vetëm politik i kandidimit. Të gjithë - midis tyre - edhe këta të sotmit socialistë kritikmëdhenj edvinistë, të njëllojtë janë. U mungon Personaliteti i Udhëheqësit. U mungon ai program politik që të ngjallë mirëbesim. Të gjithë - sikurse Kastriot Islami - heshtin kur duhet të flasin, sepse bashkëmiratojnë vendimin e shumicës... Dhe në PS vendimi i shumicës është filozofia “Jam unë - kryetari i partisë, pa jeni ju!”. Të gjithë këta të sotmit janë ata të djeshmit - që sikurse pohon vetë Kastriot Islami - i thurin lavde kryetarit të partisë, sëmundje kjo e përhapur në PS.
Supa politike në PS është - sikurse duket - thjesht një rotacion politik që do të ripërsëritet edhe në katërvjeçarin e ardhshëm politik. Cilido kryetar që do të zgjidhet nga këta socialistët e sotëm kritikmëdhenj do të ketë të njëjtin fat të Edvinit. Janë të vegjël, të paformuar në Personalitet. Shumca e atyre që pretendojnë të jenë kryetarë kanë qenë ministrat e qeverisë Nano që kapitulloi më 2005-n.
Do të ringrohin supën politike nanoiste të 2005-s në fundgushtin e kongresit socialist? Të tjerët - ata që do të zgjedhin kryetarin e ri në fundgushtin e kongresit partiak - do t’i thurin kryetarit të ri lavde katëvjeçarë dhe në humbjen e madhe të paskatërvjeçarëve - do të ripërsërisin korin e të sotmëve kritikëmëdhenj edviniastë.
...