Berisha viziton të moshuarit: Gjithçka për të lehtësuar jetën tuaj
Kryeministri dhe bashkëshortja shpërndanë dhurata për ta
Kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij Liri Berisha kanë përuruar mëngjesin e sotëm shtëpinë e të moshuarve në lagjen “Ali Demi” në kryeqytet. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë garantoi se do të bëjë gjithçka për të lehtësuar jetën e tyre dhe theksoi se kjo shtëpi është në kushte optimale falë investimit prej 50 milionë lekësh. “Dua t’ju siguroj se interesi ynë për tu lehtësuar ju, jetën tuaj është një interes në rritje. Kur kam ardhur për herë të parë këtu ka parë që ju 80 përqind të pensionit e depozitonit në shtëpinë ku rrinit dhe këtë raport ne e kemi ulur. Shtëpia ka një kapacitet ende të pa shfrytëzuar, por kjo është rritur në mënyrë që kjo mund t’ju shërbejë të gjithë atyre që nuk kanë mundësi t’ju shërbehet në shtëpitë e tyre. Për ne shtëpitë e të moshuarve, përmirësimi i tyre dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit do të jetë një përparësi madhore. Me interes mora vesh se kjo shtëpi shërben edhe si shërbim ditor dhe kjo është shumë pozitive dhe ne këto shërbime do të vijojmë t’i zgjerojmë. Ju siguroj që do të bëjmë gjithçka për kushte gjithmonë edhe më të mira”- tha Berisha.
Kreu i qeverisë i bëri thirrje biznesmenëve që të mbështesin këto shtëpi sociale duke treguar solidaritet njerëzor. “Është një rast i veçantë për t’u bërë thirrje bizneseve shqiptare që me bujarinë e tyre, me ndjenjat e tyre humanitare të mbështesin sa më shumë shtëpitë e kujdesit social për fëmijët, për të moshuarit, për gratë e dhunuara. Kjo jo se qeveria nuk ka mundësi për mbështetje të plotë ndaj tyre por në radhë të parë si një akt solidaritet njerëzor ndaj këtyre grupeve të popullatës sonë pasi ata kanë nevojë të ndjejnë bujarinë direkte të shoqërisë”- tha Berisha.
Ai vlerësoi personelin e Shtëpisë së të moshuarve dhe më pas shpërndau dhurata për ta. Në ceremoninë e përurimit të rikonstruksionit të ndërtesës së Shtëpisë së të moshuarve mori pjesë dhe ministri i punës Spiro Ksera. E ftuar speciale ishte artistja e popullit Drita Pelingu. Prezenca e saj ishte për të moshuarit një vlerë shpirtërore. Aktualisht ne Qendër marrin shërbim 32 të moshuar, nga 45 që është kapaciteti. Qendra mund të ofrojë edhe shërbime ditore.
...