Prishen barakat e romëve tek Pallati me Shigjeta, policia nuk ndërhyn
Tiranë- Paçka kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj udhëroi dy ditë më parë pezullimin e largimit të 37 familjeve rome nga zona e Pallatit me Shigjeta, ditën e sotme janë prishur edhe 8 baraka të tjera të tyre.
Në zonë përfaqësues të Avokatit të Popullit theksojnë se ka pasur sërish presione ndaj romëve. AP-ja i bën apel policisë që të ndërhyjë.
Policia të jetë prezente në këtë zonë dhe të ndërpresë veprime të tjera të paligjshme,- thotë Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit , Igli Totozani në takim me përfaqësues të BE-së dhe OSBE-së në vendin tonë ditë më parë parashtroi këto kërkesa: Policia e shtetit të ndërhyjë dhe të shmangë këtë situatë paligjshmëria që po vijon në terren mbi romët. Zgjidhja e problemit të realizohet nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor ku palë të jenë dhe romët. Institucionet ligjore të jenë garant për zhvillimin e një procesi të rregullt. Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të punojë në mënyrë urgjente për të trajtuar çështjen për strehimin e familjeve rome.
Ndërkohë ndërkombëtarët thanë se janë tepër të shqetësuar për situatën e krijuar me komunitetin rom në vendin tonë.