E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishësit e dyzenit

28-11-2012 / Nga Ilir Nikolla

Nuk e kam fjalën për Gazmendin e Festës, pasi ai është i një regjistri të lartë, buçitës siç e meriton rasti dhe gjithëpërfshirës tek të gjithë ata që kanë sadopak fibër shqiptari në damarët e tyre. Por 100-vjetori është me të vërtetë një rast unik në jetën e një njeriu, mesatarja e së cilës nuk i kalon 80 vitet. E ky rast po imponon një gazmend të veçantë, një gazmend harmonik, një bashkëzanim të gëzimit, pra një dyzen, siç i thonë në gjuhën muzikore. Gazmendi nuk na prishet nga zërat e ulët që andej e këndej s’lënë gjë pa thënë për 100 vitet e historisë tonë apo edhe për mënyrën se si po kremtojmë sot. Gazmendi nuk na prishet, por dyzeni po. Zërat e ulët e prishin harmoninë, paçka se s’do të donim të kishte këtë ditë asnjë zë të veçuar, asnjë pëllitje antishqiptare.
Prishësit e dyzenit janë të shpërndarë në qendrat e mëdha e në përgjithësi kanë profile anonime. Ata shfaqen herë pas herë në skena televizive të paguara dhe thonë se ndihen të turpëruar nga përvjetori, thonë se ne jemi sot më keq se 100 vjet më parë e se teposhta s’do ndalet e se pas 100 vitesh ka rrezik të mos jemi fare...
Se ku do të tretet ashti i shqiptarit, anonimët s’marrin përsipër ta thonë, pasi fundi i fundit anonimë janë, thjesht u është dhënë një punë e parapaguar e ata po përpiqen ta kryejnë.
Për prishësit e dyzenit më duhet të kujtoj mesazhin e djeshëm të Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, e cila në urimin e saj, ishte ndalur veçanërisht tek kuptimi i 100 vjetorit. Në një mesazh aspak stereotip (kuptohet, kur dërgohet nga kryetarja e Perandorisë më të madhe e më të vjetër të botës, me diplomacinë më të mirënjohur në glob e prej një sovraneje që sapo ka festuar 60 vjetorin e ngjitjes në fron), Elizabeta e Dytë thotë se “Shekulli i kaluar me shumë sfida është një testament për forcën dhe vendosmërinë e popullit shqiptar”. Merret vesh se urimi është edhe kuintesenca e 100 viteve vëzhgim që diplomacia britanike i ka bërë shtetit shqiptar që në themelim (pa llogaritur të tjera raportime publike të mëhershme për racën shqiptare, që nga Lord Bajroni e deri tek Edit’h Durhami), prej nga del edhe përfundimi i sovranet britanike për mbijetesën si një testament për forcën dhe vendosmërinë e shqiptarëve. Nëse nuk mjafton mesazhi i Mbretëreshës Elizabeta e Dytë, për herë të dytë brenda muajit, sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton përsëriti se Shqipëria është në rrugë të mbarë.
Një mendje e arsyeshme domosdo kap menjëherë se dy mesazhet janë në unison me gazmendin e shqiptarëve, bile mund të them se e çojnë në një regjistër edhe më të lartë dyzenin e festës. Por prishësit e festës prapë s’ndalen. Diku vjedhin shkronjën e një shtatoreje për të klithur më pas për marrinë e festës, diku prishin stolat e një ceremonie përurimi, për të klithur më pas se s’është fare vendi për festë. Në Vlorë mblidhen si një tufë korbash e me krrokamë klithin se do ta marrin peng qytetin, nëse ndokush tjetër jashtë qytetit do të përpiqet të festojë. Prishësit e festës kanë edhe një industri mediatike prapa që u bën eko, por ky regjistër i ulët s’e ndal dot gazmendin e shqiptarëve. Ky kremtim i mbijetesës, i progresit dhe i mirëqenies ka kapur standardin e Ethon-it. Është një gazmend në ethe, por është edhe një gazmend shqiponje, është një gaz transhedental, i cili s’ka pengesa përpara. Është një gazmend që veç popujt energjikë e përjetojnë. Është një shenjë rinie, një shenjë se 100 vjet janë shumë pak e se shumë syresh do të kemi përpara. Do të kemi të tjerë para se të hasim në pengesën e parë të gëzimit, në stadin kur s’do t’i gëzohemi dot gazmendit të pavarësisë. Tek shumë popuj haset ky ngërç, por ata le ta zgjidhin si t’u vijë më për mbarë. Gazmendi ynë është Ethon, është me një përmasë estetikisht të plotë, i pastër, i panjollë.
Dhe për ata që janë të dhënë pas të përkryerës, puna është se s’kemi ndonjë recetë se si të sillemi me prishësit e dyzenit. Ndoshta për funksionalitet, duhet të ndjekim sjelljen rinore, t’ua mbyllim gojën, t’ua bllokojmë jehonën, t’ua errësojmë plehun mediatik ku pëllasin. S’e di, secili të veprojë sipas rastit me prishësit e dyzenit. Kanë licencën e një kombi mbijetues, që është ende shumë vital për të gëzuar “me maturi”.
Paçin dorën e fortë ata që do e kenë sot vëmendjen të parandalojnë prishësit e dyzenit.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›