Çamëria në 100 vjetorin e Pavarësisë
Mes patriotëve dhe delegatëve nga të gjitha anët e Shqipërisë, të cilët firmosën dokumentin e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë ishin natyrshëm edhe përfaqësuesit e Çamërisë. Një kontribut i jashtëzakonshëm padyshim që u pasqyrua edhe në folklorin çam. “Një konceptim i tillë rrjedh nga realiteti i pasurisë së madhe orale të popullit tonë, e cila duke qenë pasuri themelore, jo vetëm poetike po njëkohësisht historike, morale, kanunore, filozofike e pedagogjike, ka fituar vetvetiu një enciklopedizëm të theksuar. Por një konceptim i tillë, merr vlera akoma dhe më të veçanta kur kemi të bëjmë me thesare poetike të një popullate të shpërngulur nga trojet e veta: pra të një kulture të çrrrënjosur me dhunë, ndaj së cilës kanë vepruar të gjitha mjetet e shkombëtarizimit, nga më brutalet gjer tek më të rafinuarat” – shkruante shkrimtari i madh Ismail Kadare në parathënien e librit “Rënkimet e Çamërisë” të autorit Fatos M. Rrapaj. Pikërisht në folklorin çam Pavarësia e Shqipërisë dhe përpekjet e Ismail Qemalit, dituria e tij u bënë shumë shpejt burim frymëzimi për çamët, për njeriun që aq shumë e deshi Shqipërinë dhe që nuk harronte as Kosovën dhe as Çamërinë:
-Trim Ismail Qemali,
me penë, e dituri,
ç’u përpoq i varfëri,
për Kosovë e Çamëri,
Po Evropi s’qe i drejtë
[…]
Se vuri firmat e tia:
“Të humbasë Shqipëria”,
të humbasësh vëndin tënë,
Zoti mos e pastë thënë.
Nga ana tjetër në Çamëri ishin thurur dhe vazhdonin akoma të thureshin këngë për të gjitha ngjarjet më të rëndësishme që kishin ndodhur dhe ndodhnin me kombin shqiptar. Vjersha dhe tregime që transmetoheshin brez pas brezi që kapnin madje edhe për kohë shumë të largëta. Flitej dhe tregohej për Elimët e lashtë që sipas popullsisë çame kishin qenë ngulime që fillonin nga fshatrat e Margëllëçit në Çamëri dhe që arrinin deri në Lumin e Vlorës.“Për elimët, na i kanë burë vasijet gjushërit se në zeman të parë ata kanë jetuar e pënuar në Çamëri e Labëri. Kaha kurmi kanë klënë shumë të bëdhinj”. Në fakt në Çamëri njihej nga të gjithë “Guri i Elimëve”, po aq sa puset e thellë që njiheshin si “Sterrat e Elimëve” për të përfunduar me “Tre gurët e Elimëve” në Paramithi. Por edhe më pas shkruhej dhe tregohej për Skëndërbeun dhe bëmat e tij. Sidoqoftë, sidomos pas copëtimit të Shqipërisë nga Konferenca e Londrës dhe më pas, çamët (pasi kishin marrë pjesë dhe kishin dhënë kontributin e tyre për t’ju gjendur afër kombit të tyre) folën përsëri edhe në këngët e tyre për fatet e kombit shqiptar dhe fatin e tyre po aq të dhimbshëm:
-Këta kralët evropjanë,
Çamërinë e lanë mënjanë,
O malet e Çamërisë,
mbetë në thonjt e Greqisë,
[…]
Mos e thëntë Perëndia,
të dahesh ka Shqipëria
Për të vazhduar më pas me këngët për flamurin shqiptar:
-Fol, fol, moj shkab’e zezë,
A do veç dot në Prevezë?
fol e thuaj që do vete
në të pesë vilajete.
Të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre, çamët vuajtën por mes dhimbjeve kënduan përsëri:
-Ato gra që klenë me barrë,
i muar i holqën xarrë,
me thika në bark u ranë,
u xorrën fëmijët gjallë
dhe ata me thika i vranë.
Por bashkëkombasit e tyre i pritën mjaft mirë dhe çamët si për mirënjohje kënduan përsëri:
-Dhe Borshi hallall e pastë
as një çam nuk e la jashtë,
shumë njerëz i pranoi
[…]
Kur erdhëm poshtë në Dukat,
dhe ki na u gjet nan e babë…
dhe Tragjasi me Radhimë,
na bënë pritël të mirë,
si kanë për soj bujarinë,
si në gjithë Labërinë.
Por më pas, që prej nga stepave të Moskovit retë e kuqe të komunizmit ja behën dhe në Shqipëri. Dhe çamët kënduan përsëri:
Po partia komuniste,
lindur për terror,
në gjumë e vrau tek flinte,
trimin arbëror.
Të vrarë dhe të burgosur nga diktatura më e egër dhe më gjakatare komuniste e Europës, në vitin 1990, pasi kishin marrë pjesë në demonstradat kundra regjimit komunist (në ato të Kavajës apo të Shkodrës, në rrëzimin e bustit të diktatorit komunist), pasi dhanë dhe vazhdojnë të japin kontributet e tyre në demokratizimin e vendit, pasi ngritën shoqatën Çamëria anembanë Shqipërisë dhe fill pas saj edhe Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet pjesë e koalicionit qeverisës, sot çamët festojnë 100 vjetorin e Pavarësisë. Gëzuar 100 vjetorin e Pavarësisë!