Sot, në një flamur të pandarë
Në përvjetorin e 100-të, shqiptarët e ndajnë kremtimin e festës me shpresën e bashkimit të tyre, si aspirata që e kanë amanet prej themeluesve të shtetit shqiptar, si trashëgimi e atyre që me deklaratën e pavarësisë, themeluan Shqipërinë Etnike. Sot, shqiptarët janë në një flamur të pandarë dhe plot shpresë se shekulli i ri do të jetë shekulli i bashkimit
100 vjetori i Pavarësisë i gjen shqiptarët në të gjitha trojet kombëtare të lumtur e dinjitozë në festën e madhe që i bashkon në një flamur të pandarë. Shqiptarët janë Një, kudo që janë. Atmosfera është ndezur në cdo vendbanim shqiptar. Dekori i flamujve kuq e zi dhe simboleve kombëtare mbizotërojnë të gjitha hapësirat kryesore, administrative e strategjike të vendit. Natyrisht s’kishte si të ishte tjetër sepse është dita e Ismail Qemalit. Për asnjë moment s’duhet të harrojmë se në kushtet më të vështira të ekzistencës së popullit shqiptar, në kushtet kur perandoria osmane në të cilën shqiptarët kishin qenë “peng” të saj rreth 500 vjet po shkërmoqej dita ditës, në kushtet kur vendet fqinje pa dallim u vërsulën për ta zhdukur kombin të pambrojtur shqiptar, kombin pa shtet, një burrë fisnik e dimplomat i urtë si Ismail Qemali i përkushtohet tërësisht çështjes shqiptare duke marrënë dorë fatet e kombit. Ndaj festimet e 100 vjetorit të përkujtimit të shpalljes së Pavarësisë kanë metaforën e një trupi të shëndetëshëm energjik ku arteriet e mbushura me gjak furnizojnë zemrën e kombit në Vlorë, Tiranë, Shkup, Tetovë, Prishtinë, Mitrovicë, Preshëvë, Prizërenin, Gjakovë, etj, me një forcë të pazakontë. Në cdo vend ku ka shqiptarë ka një flamur krenar që simbolizon dashurinë për Atdheun. Një dashuri të zjarrtë që vë në lëvizje të gjithë emocionet e forta brohëritëse, “Ti Shqipëri me jep emrin Shqipëtar”. Për 100 vjetorin e Pavarësisë në portet, aeroportet dhe pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me botën kanë ardhur qindra mijëra qytetarë shqiptarë dhe të huaj për të kremtuar ditën e shenjtë. Qytetarë nga Kukësi, Tirana, Durrës, Vlora mikëpritën qytetarë nga Gjakova, Prishtina, Presheva, Shkupi e Tetova, të cilët u bashkuan në festën e Pavarësisë. Jubileu i Pavarësisë së Shqipërisë është nderuar në ngritjen e shumë shtatoreve të burrave të pavdekshëm të Kombit, si Ismal Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Adem Jashari e shumë të tjerëve që janë simboli i luftëtarëve të lirisë. Rikthimi i eshtrave të Mbretit Zog dhe ngritja mazueleumit të familjes Mbretërore ishte korrigjimi i një padrejtësie të konsumuar për 50 vite nga regjimi komunist. Përkujtimi në sallën e Parlamentit me një ceremoni elitare për 40 firmëtarët e Pavarësisë si 40 shenjtërët e persekutuar në të gjallë dhe në të vdekur ishte ajka e një akt qytetar e shtetëror. Padyshim ky 100 vjetor na gjen të lirë në një Shqipëri demokratike, kandidate për në Bashkimin Europian. Ne jemi sot anëtarë të Aleancës më të madhe ushtarake të botës, në NATO dhe gjeopolikisht më mirë se kurrë, me Kosovën e lirë dhe të Pavarur. Kjo dhe falë miqve tanë. Sigurisht të ardhurat e shqiptarë janë më të larta se kurrrë më parë sepse liria punon dhe prosperon kombin shqiptar. Lidhja me infrastrukturë e kombit, qoftë rrugore apo digjitale, ka afruar shqiptarët në një familje të madhe. Ka shumë arsye përse duhet të festojmë sot, në këtë 100 vjetor të Shpalljes së Pavarësisë.
...