E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishet ndërtimi pa leje te “Don Bosko”, Hoxha: Do të goditet çdo objekt pa leje

TIRANE - Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës ka prishur një tjetër ndërtim pa leje në katin e dhjetë të një pallati në zonën e “Don Boskos” në Tiranë. Kreu i këtij Inspektorati ka deklaruar se gjatë mbrëmjes së djeshme janë sekuestruar disa betoniere dhe makineri të tjera që shërbenin për ndërtimin e këtyre objekteve, ndërsa ka shtuar se çdo ndërtim pa leje do të shembet.

“Ky aksion do të vijojë edhe në ditët e ardhshme, derisa të goditet edhe objekti i fundit që është ndërtuar pa leje brenda këtij territori. Ne kemi marrë listën e plotë të vetëdeklarimeve të bëra nga qytetarët e Tiranës këto muajt e fundit, në bazë të ligjit të ri, dhe do të vlerësojmë çdo rast të vetëdeklarimit për ta vendosur atë në kushtet e ligjshmërisë.”- deklaroi Hoxha.

Florenc Hoxha i ka bërë thirrje eksponentëve të Partisë Socialiste që të mos mbështesin ndërtimet pa leje, por të mbështesin Inspektoratin.

“Gjej rastin t’i bëj thirrje disa deputetëve të PS-së që të mos hedhin parulla për të ndihmuar qytetarët, ose më mirë ëpr të nxitur qytetarët për të ndërtuar pa leje. Gjithashtu u bëj thirrje këtyre individëve që të mbështesin Inspektoriatin Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës dhe të mos nxisin këta individë të ushtrojnë dhunë. ”-u shpreh Hoxha.

Përsa i përket përplasjes së djeshme, Florenc Hoxha deklaroi se është bërë një kallëzim në Komisariatin 4 dhe agresori po hetohet për ngjarjen në gjendje të lirë.

Më herët për këtë ngjarje ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës, e cila e ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj inspektorit në krye të detyrës. Bashkia i bëri thirrje eksponentëve të Partisë Socialiste të qëndrojnë larg akteve të dhunës dhe të mos i motivojnë ato. Bashkia e Tiranës shprehet e vendosur për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe se asnjë presion nuk do ndalë punën e saj në mbrojtje të ligjit.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›