Prishtina ‘prek’ titullin, shpreson ‘89’shi

Të dielën do të zhvillohet xhiroja e 33-të dhe e fundit në Superligën e Kosovës në futboll, ku do të përcaktohet edhe kampioni i ri në elitën e futbollit kosovar.
Në garë tashm[ kanë mbetur vetëm dy skuadra Prishtina dhe Trepça 89’. Skuadra kryeqytetase e pret rivalin tradicional Vëllaznimin nga Gjakova, ndërsa ‘Xehetarët’ i shkojnë Lirisë së Prizrenit.
Trajneri i skuadrës bardhekaltër, Jusuf Tortoshi tha se Prishtina është e përgatitur mirë për këtë takim dhe pret që djelmoshat e tij të tregojnë lojë të mirë dhe të kurorëzohen me titullin e kampionit.
“Tereni vendës do të jetë përparësi për ne, por do te kemi edhe ngarkesë psikike, për dallim nga Vëllaznimi që në këtë takim luan pa presion. Ne jemi në formë të mirë dhe shpresoj që të vazhdojmë edhe në këtë takim dhe në fund të festojmë titullin më të gjithë tifozët tanë”, tha Tortoshi për Express.
Ai po ashtu ka komentuar edhe akuzat e lëshuar nga rivali Trepça ’89. Kjo e fundit po i konteston rezultatet pozitive të bardhe e kaltërve duke aluduar se janë ndihmuar nga ekipet tjera të arrijë deri te titulli.
“Trepça 89’ po i akuzon të gjitha skuadrat. Shtrohet pyetja a janë ata të pastër? Jo. Ata janë një skuadër e mirë, por nuk duhet të harrojnë që futbolli nuk luhet vetëm një sezon”, theksoi Tortoshi.
Në anën tjetër, sulmuesi i Trepçës 89’, Berat Hyseni shpreson se ‘xehetarët’ do të shënojnë fitore në takimin kundër Lirisë, derisa pret që ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Vëllaznimit të jetë fer.
“Ne në Prizren udhëtojmë për tri pikë të plota dhe shpresoj se ndeshja në Prishtinë të jetë fer e korrekte, e të mos ketë manipulime. Shpresojmë ta fitojmë titullin.”, deklaroi Hyseni, i cili është golashënuesi më i mirë i Superligës.
Java e fundit do të jetë po ashtu përcaktuese edhe për pozitën e dhjetë, pozitë kjo që dërgon në barazh. Për t’i ikur kësaj pozite, janë duke luftuar tri skuadra, Lepenci, Liria dhe Trepça.
Skuadra nga Kaçaniku në shtëpi e pret kampionin aktual, Hysin, Trepça e pret Dritën, ndërsa ndeshjen më të vështirë e ka Liria që e pret Trepçën 89’, skuadër kjo e cila është në luftë për titullin e kampionit.
Superliga - xhiroja e 33-të
E diel
Prishtina - Vëllaznimi
Liria – Trepça 89
Lepenci - Hysi
Trepça - Drita
KEK-u - Besa
Drenica - Gjilani
Të gjitha ndeshjet zhvillohen në ora 17:00