E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disiplinë gjermane, teknikë spanjolle

Futbollistëve të rinj u është hapur edhe një mundësi ta sprovojnë talentin e tyre. Shkolla e re e futbollit ACD Dardania ka tubuar rreth 50 djelmosha, të moshës 8-16 vjet, me të cilët po punohet me planprogram evropian. Sipas drejtuesve të kësaj shkolle, shprehia e punës ka të bëjë me disiplinën gjerman, kurse elementet teknike bazohen në atë spanjoll. Ata janë të bindur se në Kosovë ka shumë talentë, por insistojnë se duhet të punohet me ta.

Kosova njihet si një mini-Brazil për zbulimin e talenteve në futboll. Mirëpo, me futbollistëve të rinj punohet shumë pak nëpër klubet e futbollit kosovar.

Kjo i ka shtyrë trajnerët Fahredin Duraku e Fidaim Haxhiu, si dhe futbollistët e deridjeshëm, Arsim Plepolli dhe Naser Prapashtica, që së bashku ta hapin një shkollë të futbollit, në mënyrë që të nxjerrin talente në futbollin e varfër kosovar.

Ata kanë formuar shkollën e futbollit ACD Dardania, tre muaj më parë, ndërsa interesimi i të rinjve nuk ka munguar aspak. Aktualisht, aty ushtrojnë rreth 50 fëmijë, të moshave në mes 8 e 16 vjeç. Me ta punohet tri herë në javë, ndërsa gjatë kësaj periudhe e kanë rastin ta bëjnë atë që më së shumti e kanë në qejf – zhvillimin e një ndeshjeje.

Katërshja e trajnerëve punonin me vullnet dhe njomakët ua kthenin me të njëjtën ‘monedhë’. Për dallim nga shkollat e tjera private të futbollit, e lartpërmendura nuk varet nga pagesat e këtyre fëmijëve, sepse ka disa sponsorë.

Arsim Plepolli, i cili e ka quar një jetë duke vrapuar pas topit, të gjitha njohuritë dhe përvojën që ka bërë brenda dhe jashtë vendit, po mundohet ta përcjellë te nxënësit e tij.

“Ne e kemi parë që ka shumë rini në Kosovë dhe kemi menduar se ata e meritojnë të punojnë në mënyrë profesionale. Në vendin tonë ka shumë shkolla, por që fatkeqësisht nuk punohet si duhet. Është bërë modë hapja e shkollave të futbollit, por mendoj se duhet të kërkohen licenca për to. Ne kemi menduar ta themelojmë një shkollë serioze dhe djelmoshat që kemi, kanë kualitet”, tha Plepolli.

Disa dhjetëra metra më larg gjendej trajneri i njohur kosovar, Fahredin Duraku, i cili po punonte me djem më të rritur. Puna dhe disiplina e tij vërehej nga larg. Ish-trajneri i Trepçës ‘89 po mundohet t’i zbatojë në Kosovë ato që ka mësuar jashtë vendit, në zejen së cilës i përket.

“Ne punojmë në bazë të planprogramit dhe metodologjisë që përdoret në Evropë. Ne po mundohemi që të punojmë me këta fëmijë, në atë mënyrë që kur të rriten, të jenë të gatshëm për të luajtur jashtë vendit dhe të jenë të përgatitur sikur bashkëmoshatarët e tyre atje. Siç dihet, kjo ka munguar deri tash në vendin tonë. Nga këta të rinj kërkohet punë, punë dhe vetëm punë”, tha ai.

Puna të cilën e bëjnë këta trajnerë lidhet me qëndrueshmërinë, eksplozivitetin, pasimin e topit etj. Shprehia e punës ka të bëjë me disiplinën gjerman, kurse elementet teknike bazohen në atë spanjoll.

Fidaim Haxhiu kohë më parë e la punën me seniorë, kur e udhëhoqi Trepçën, për t’iu rikthyer punës me të rinj, me të cilët kishte punuar gjatë pjesës më të madhe të karrierës. Njëjtë si Duraku, edhe ai ka një përvojë jashtë vendit, kështu që ky fakt është më se i mirëseardhur për çunat që po ushtronin në lagjen Taukbahçe, aty ku edhe është ‘baza’ e ACD Dardania.

“Unë kam përvojë në këtë aspekt, sepse kam punuar katër vjet jashtë vendit në shkolla të futbollit, ku kam pasur punë me fëmijë të moshës 5-16 vjet. Prandaj, punën dhe përvojën që e kam bërë atje, po mundohem ta përcjell edhe te këta fëmijë. Jam shumë i kënaqur me punën që po e bëjnë këta djelmosha. Mendoj se Kosova ka talente dhe vetëm duhet të punohet me ta”, shpjegoi Haxhiu, i cili me grupin e tij të futbollistëve po punonte në vrapime, pasime të topit dhe në përsosjen e teknikës së tyre.

Viteve të fundit, në Kosovë janë hapur shkolla të shumta futbolli. Mirëpo, një pjesë e tyre kanë objektiv përfitimet financiare. Por te ACD Dardania, zotohen që primare e kanë punën profesioniste dhe nxjerrjen e talenteve, e jo përfitimet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›