Prishtina e do Shqipërinë
Prishtina e ka nisur një mision, të cilit vështirë se do të mund t’i dalë në krye. Bardhekaltërve duket se u ka humbur durimi duke luajtur vetëm brenda kufijve të Kosovës, andaj ata janë hedhur në aksion për t’u bërë pjesë e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), nëpërmjet së cilës mendojnë të depërtojnë edhe në gara evropiane.
Në fakt, prishtinasit kanë bërë kërkesë në të gjitha institucionet e Shqipërisë që të lejohen të garojnë në elitën e futbollit shqiptar, prej edicionit të ardhshëm. Lajmin e ka konfirmuar presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi.
“Këtë kërkesë ia kemi bërë FSHF-së, presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, Ministrisë së Sporteve, klubeve shqiptare etj. Pra, ideja është që Prishtina, por edhe një klub tjetër më i mirë i organizuar nga Kosova, të garojnë në elitën e futbollit të Shqipërisë, derisa të bëhet një zgjedhje rreth futbollit të Kosovës”, deklaroi Ejupi për Express, i cili pranoi se për skuadrën e tij ka humbur durimi i izolimit shumëvjeçar në të cilin gjendet futbolli kosovar.
“Kështu më nuk po shkon. Talentët kanë nisur të humbasin. Kemi potencial, të cilin duhet ta kultivojmë. Gjysma e ekipit zviceran përbëhet me kosovarë. Pse t’i humbasim kështu futbollistët tanë”, u shpreh ai.
Ejupi shpreson që kërkesa e klubit bardhekaltër do të aprovohet nga shteti shqiptar. “Nëse shteti shqiptar do, ideja mund të realizohet. Të dyja shtetet tona dhe të dyja federatat e kanë për obligim që ta mbështesin kërkesën tonë dhe ta thyejmë këtë izolim, pasi kjo është në interes të përgjithshëm”, vazhdoi ai.
Ejupi është i bindur se kërkesa e klubit më të suksesshëm kosovar nuk bie ndesh me rregulloret e UEFA-s e FIFA-s. “Juridikisht ka zgjidhje. Edhe në vende të tjera të Evropës ka pasur kësi lëvizjesh, e që janë pranuar nga UEFA”, përfundoi Ejupi.