Shaqiri në Malagë, për 15 milionë euro?

Thuajse të gjitha ligat më të forta në Evropë mund të jenë destinacion i yllit të ri të Baselit. Sipas gazetës zvicerane, 20 Minuten, reprezentuesi zviceran mund të përfundojë në Malagë.
Për këtë, kjo gazetë ka fakte. Sipas saj, vëllai dhe menaxheri i Xherdan Shaqirit, Erdin Shaqiri, në mëngjesin e të martës me aeroplan nga Bazeli ka fluturuar për në Malagë.
Mbetet e paqartë nëse në këtë udhëtim i është bashkuar edhe Xherdani, këtë nuk duan ta konfirmojnë as drejtuesit e FC Baselit.
Sipas 20 Minuten, pronari i klubit Malaga, sheiku Abdullah Bin Nasser Al Thani, është në gjendje të paguajë deri në 15 milionë euro për ‘xhuxhin magjik’. Por, oferta zyrtare do të shkonte në adresën e Baselit vetëm pas njoftimit të sheikut me Shaqirin.
Përveç Malagës, interesim për gjilanasin kanë shprehur edhe Hamburg, Manchester United, Liverpool, Tottenham Galatasaray, Lazio, Fiorentina, Napoli e të tjera.
Se ku do të përfundojë Shaqiri, ende nuk dihet. Por një gjë është e sigurt se ai do të largohet nga Baseli më së largu deri në verë të këtij viti.