E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina ka lezet

“Prishtina ka lezet”, është vargu i një kënge të njohur kosovare.
Por, për dy përforcimet e Sigal Prishtinës, Alex Carcamo dhe Gaston Essengue kryeqyteti kosovar njëmend është po aq i mirë dhe me lezet. Aventura e tyre disa javore në Prishtinë duket se do të jetë një kaptinë e veçantë në jetën e tyre.

Basketbollisti amerikan Carcamo dhe ai kamerunas Essengue iu bashkuan klubit nga kryeqyteti në prag të fillimit të play-off-it si emra të panjohur, por do të largohen si kampionë dhe fitues të Kupës së Kosovës.

Sigal Prishtina fitoi titullin e pestë të njëpasnjëshëm pas fitores me rezultat 3-1 në serinë finale kundër Trepçës, ku përveç kontributit të basketbollistëve vendorë një ndihmë të madhe e dhanë Carcamo dhe Essengue.

Siç është bërë e zakonshme në basketbollin e Kosovës, përforcimet e huaja largohen nga klubi në përfundim të kampionatit. Kështu do të ndodhë edhe me Carcamon e Essenguen.

Por, përveç medaljeve të kampionit dhe fituesit të kupës, ata me vete do të marrin kujtimet e një aventure të shkurtër, por për ta të paharruar.

“Ishte përvojë e mirë, e shkurtër, por ndihem sikur gjithmonë kam qenë këtu. Këtu jam si në shtëpinë time. Njerëzit janë shumë të mirë e sidomos bashkëlojtarët, trajneri dhe gjithë stafi. Përfundimisht do të më mungojë Prishtina, nuk kam pritur se do të kalojmë kaq mirë, për çka jam i befasuar. Do të kthehesha përsëri për të fituar një tjetër titull, edhe pse këtë që e fituam tani do ta mbaj kujtim përgjithmonë”, tha Essengue për Express.

Derisa reprezentuesi i Kamerunit do ta kujtojë Prishtinën për suksesin e arritur, Carcamo ka edhe një arsye tjetër. Në ndeshjen e tretë të serisë finale në Prishtinë, në prag të fillimit të takimit, Carcamo i propozoi fejesë të dashurës së tij, Liri Elisha.

“Prej momentit kur kemi zbritur në aeroport, jemi pritur shumë mirë. Tifozët kanë qenë të shkëlqyeshëm, por në përgjithësi Prishtina ka qenë e ngrohtë për ne dhe kjo ka qenë arsyeja pse kam vendosur që këtu t’i propozoj të dashurës sime”, deklaroi Carcamo.

Pavarësisht përvojës së madhe në karrierën e tij të deritashme (Argjentinë, Meksikë, Izrael, Venezuelë, Kinë, Kore të Jugut, SHBA, etj), Carcamo thotë se Prishtina është një prej klubeve më të mira ku ka luajtur.

“Të them të drejtën, më parë kam qenë i interesuar të luaj vetëm për para, edhe pse e dua shumë basketbollin. Por, në Prishtinë kam ndjerë dashuri të madhe dhe mund të them se është një prej klubeve më të mira në karrierën time. Do të isha i gatshëm të kthehem nëse klubi ka nevojë për mua. Prishtina është vend ideal për shkak të atmosferës dhe organizimit të mirë në klub”, shtoi ai.

33 vjeçari amerikan ka veçuar kapitenin Edmond Azemi si basketbollistin i cili mund të luajë në arenën ndërkombëtare.

“Nëse me duhet të përmendi një emër, ai është Edo. Ai mund të luajë në çdo ekip ku kam luajtur unë deri më tani. Kur kemi ardhur unë dhe Gaston, detyra e tij ka qenë të vazhdojë të bëjë atë që kishte bërë më parë. Ishte kënaqësi të luaj së bashku në një ekip me të, por në përgjithësi i gjithë ekipi ka qenë i mirë. Një tjetër emër që duhet të përmendi është Gazmend Sinani, i cili është i ri dhe duhet të punojë shumë, por besoj se është basketbollist i cili është në zhvillim”, përfundoi Carcamo.

Ai dhe Essengue nuk planifikojnë të largohen menjëherë. Ata duan të qëndrojnë edhe disa ditë në Prishtinë, të festojnë titujt e fituar para se të udhëtojnë jashtë vendit me kujtime të paharruara.

Ata të dy duhet t’i falënderohen trajnerit Arben Krasniqi, meqë me insistimin e tij u bënë pjesë e klubit. Krasniqi kishte dhënë dorëheqje pas problemeve fillestare me ardhjen e përforcimeve, por u rikthye në klub me angazhimin e tyre. Në fund rezultati nuk mungoi, titulli dhe Kupa – reprizë për vitin e pestë me radhë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›