E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’dorëzohet Vëllaznimi

Ndeshja ndërmjet Drenicës dhe Vëllaznimit, e cila zhvillohet të shtunën në Skenderaj, do ta hapë xhiron e 29-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Pikët e kësaj ndeshjeje janë shumë të rëndësishme për të dyja këto ekipe, të cilat cilësohen si skuadra të rrezikuara për të rënë nga elita, në veçanti Vëllaznimi.

Por, drenicasve nuk u intereson pozita e vështirë në të cilën gjenden gjakovarët, pasi synojnë fitore në këtë takim, gjë që do t’ua rriste shumë gjasat për mbijetesë. Kështu thotë njëri ndër futbollistët më të dalluar të Drenicës, Dukagjin Gashi.

“Siç dihet, skuadra jonë vazhdimisht po përcillet nga numër shumë i madh i simpatizuesve. Njëjtë do të jetë edhe kësaj here. Ne jemi të përgatitur maksimalisht dhe jemi të motivuar, andaj synojmë fitore përballë Vëllaznimit, sepse fitorja eventuale mbi 90 për qind do të na siguronte mbijetesën dhe për ndeshjet e ardhshme do të ishim më të qetë”, deklaroi Gashi për Express.

Ndërsa edhe kuqezinjtë e Gjakovës kërkojnë pikë në Skenderaj përballë Drenicës. Trajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli, thotë se ekipi i tij do të ishte i kënaqur edhe me një barazim eventual nga kjo përballje.

“Synimi jonë kryesor është ta zhvillojmë një ndeshje sa më të bukur. Në Drenicë ka kushte për të aplikuar lojë të mirë, sepse Drenica dhe publiku i saj janë shumë korrektë. Andaj ne synojmë ta nxjerrim një rezultat sa më pozitiv. Ne nuk shkojmë me flamur të bardhë në Drenicë. Do të ishim të kënaqur edhe me një barazim, por edhe fitorja është në planet tona”, tha Shosholli për Express.

Drenica aktualisht është në pozitën e tetë në tabelën e klasifikimit me 36 pikë të tubuara, pesë më shumë sesa Vëllaznimi që gjendet në vendin e dhjetë të tabelës, e cila pozitë dërgon në ndeshje barazhi me ekipin e vendit të tretë të Ligës së Parë. Ky takim nis në orën 16:00, sikurse edhe pesë ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje, të cilat do të zhvillohen të dielën.

Superliga - Xhiroja e 29-të
E shtunë
Drenica – Vëllaznimi
E diel
Trepça – Flamurtari
Prishtina – Gjilani
Ferizaj – Kosova (V)
Besa – Liria
KEK-u – Hysi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›