E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina kërkon fitoren në hapje të kampionatit

Prishtinë, 14 gusht - Skuadra kosovare me më së shumti trofe, Prishtina është e vendosur që të kthejë titullin e kampionit. Për këtë edhe synon që të startojë me fitoren në edicionin 2010\2011 të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Prishtina takohet me KEK-un në Kastriot, të shtunën (sot) nga ora 17.00 në ndeshjen e parë të javës së parë.
"Jam optimist se kampionatin do ta fillojmë me fitore. Me fitore pres të vazhdojmë edhe në ndeshjet e tjera. Për skuadrën që ndjek titullin është e rëndësishme që të marr tri pikë në hapje të kampionatit. Jemi të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje", ka thënë të premten sulmuesi i Prishtinës, Faton Zejnullahu. "KEK-u ka skuadër solide dhe duhet respektuar. Në të kaluarën ka ditur të bëjë befasi, prandaj duhet të angazhohemi maksimalisht.
Prishtina edicionin e kaluar doli e dyta pas Trepçës. Gjatë fazës përgatitore skuadra e drejtuar nga Ramiz Krasniqi ka pasur rezultate të mira.
Prishtina gjatë verës është përforcuar me Flamur Nezirin, Shemsi Osmanin dhe Mentor Mazrekajn.
Trajneri i KEK-ut, Mentor Miftari, ka bërë të ditur se për ndeshjen e parë nuk mund të llogarisë në formacionin më të mirë. Disa titullarë të skuadrës kastriotase përballen me probleme shëndetësore.
"Përgatitjet kanë shkuar sipas planit, por kundër Prishtinës kemi probleme me fondin e lojtarëve. Disa futbollistë vuajnë nga lëndime të lehta, ndërsa disa të tjerë janë të ftohur. Ata do të luajnë, por nuk janë plotësisht të gatshëm. Ne do të japim maksimumin në fushë, por jemi të vetëdijshëm se na pret punë e vështirë. Përballë kemi Prishtinën që vazhdimisht lufton për titull dhe ka skuadër të kompletuar", ka theksuar Miftari.
Nga skuadra e KEK-ut gjatë verës janë larguar Behar Blakçori, Fidan Hasani, Vitrtyt Hashani, Festim Krasniqi, Kastriot Rexha e Arsim Plepolli. Skuadrës i janë bashkuar Lulzim Ferati, Ilir Izmaku, Petrit Preniqi, Valon Aliu, Qëndrim Sejdiu dhe Krenar Kosumi.
Pesë ndeshjet e tjera të javës së parë luhen të dielën.

Raiffeisen Superliga - I

E shtunë (17:00)

KEK-u - Prishtina

E diel (17:00)

Besa - Vëllaznimi
Hysi - Liria
Trepça - Drenica   
Ferizaj - Trepça '89
Ballkani - Flamurtari

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›