E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina lejon vizitën e Boris Tadic

PRISHTINE- Qeveria e Kosovës do të lejojë vizitën e presidentit serb, Boris Tadic, në Kosovë, por vetëm si vizitë të karakterit fetar. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj i tha Radios Evropa e Lirë se Qeveria e ka marrë kërkesën nga Zyra e Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian dhe, pasi e ka shqyrtuar, ka vendosur të lejojë vizitën, por me disa kushte. “Ai vjen në shtetin e Kosovës dhe nuk mund të keqpërdorë qëndrimin e tij për fjalime politike. Në këto rrethana i lejohet vizita presidentit të Serbisë”, tha Manaj. Presidenti serb ka njoftuar përfaqësuesit e BE-së ne Kosovë, se dëshiron të vizitojë këtë vend më 7 janar, kur janë Krishtlindjet ortodokse. Ai ka qëndruar për herë të fundit në Kosovë më 17 prill të vitit 2009 dhe pati vizituar Manastirin e Deçanit me rastin e ditës së Pashkëve Ortodokse. Në Kosovë, Tadic ka të drejtë të hyjë duke i bërë kërkesë përfaqësuesit ndërkombtar Piter Feith. Por institucionet kosovare kanë tërhequr vërejtjen se nëse presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar. (e.n/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›