E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina liron pesë futbollistë

Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 01 korrik 2011 në ora 12:30

Prishtinës po e rifreskon ekipin për edicionin e ardhshëm, në të cilin bardhekaltrit synojnë të fitojnë trofe. Edhe zyrtarisht klubi kryeqytetas ka njoftuar se ua ka hapur derën për t’u larguar pesë futbollistëve, të cilët në edicionin e kaluar bartnin fanellat bardh e kaltër.

“Trajneri Ramiz Krasniqi e ka përpiluar një listë me emrat e futbollistëve që do të largohen nga skuadra, me vetë kërkesat e tyre. Lojtarët që largohen nga Prishtina janë: Driton Vokshi, Labinot Haliti, Behar Blakqori dhe Lapidar Lladrovci. Ndërsa, Genc Sërmaxhaj është huazuar në Gjilan”, deklaroi për Express nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi.
Ndërkohë, sulmuesi Suad Saliagiq mund të bëhet futbollisti i gjashtë që largohet nga kryeqytetasit. Por, nga kjo skuadër nuk do të lirohet Argjend Mustafa, siç pritej.

“Saliagiqit ia kemi ofruar kushtet në bazë të mundësive tona për të vazhduar. Tani ai do të vendosë se a dëshiron që me ato kushte të mbetet pjesë e ekipit tonë apo jo. Kurse, Mustafa mbetet në klub, sepse ka kontratë. Atë do ta lironim nga klubi vetëm nëse i bën ofertë ndonjë skuadër e huaj”, theksoi Muçiqi, sipas të cilit nuk pritet të lirohen futbollistë tjerë nga skuadra, përveç nëse ata kërkohen nga klubet e huaja.

Kështu, prishtinasit tani do të mendojnë vetëm për përforcime. “Ka shumë futbollistë që vijnë në klubin tonë dhe shprehin dëshirën për t’u veshur bardh e kaltër. Mbetet të shihet nëse do të përforcohemi me lojtarë tjerë. Trajneri vendos”, u shpreh ai.

Deri më tani prishtinasit kanë arritur t’i sigurojnë shërbimet e dy futbollistëve cilësor të KEK-ut, Florim Bërbatovcit e Qëndrim Sejdiut dhe atij të Flamurtarit, Elhami Berishës. Bardhekaltrit e kanë transferuar edhe të riun e Ramiz Sadikut, Amir Rrahmani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›