E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa Ligue Flamurtari fiton ne transferte

Flamurtari i Vlorës ngre flamurin në Malin e Zi, duke shkatërruar Buducnost 1-3 në transfertën e parë europiane, në raundin e parë të Europa Ligë. Vlonjatët nën-kampionë luajnë me grintë dhe efikasitet, duke i dhënë komoditetin vetes për ndeshjen e kthimit, një javë më pas.

Nën presion në çerekorëshin e parë të ndeshjes, skuadra e Maganit del me kujdes nga gjysëmfusha e saj dhe në minutën e 23 godet me Ardit Shehaj. Punë e shkëlqyer e sulmuesit Daniel Xhafaj, që rikuperon topin në fundore dhe kroson për Shehaj që zhytet me kokë, duke kaluar Flamurtarin në avantazh.

Vlonjatët administrojnë, luajnë mirë dhe rrezikojnë sërisht, duke u kujdesur të mbajnë avantazhin, që në fakt e arrijnë deri në minutën e 53. Një kundërsulm i shpejtë i malazezëve devijohet në rrjetë në shtyllën e parë nga Boskovic. E papërgatitur prapavija kuqezi, por reagimi i skuadrës së Maganit është i menjëhershëm.

Pasimet e shpejta nxjerrin në zonë Lenaj dhe në tentativë për të bllokuar pasimin për Idrizajn, Radulovic devijon në portë avantazhin e dytë të Flamurtarit. Malazezët tronditen keq dhe në harkun e dy minutave nënshkruan kapitullimin. Xhafaj i shpejtë futet në zonë, por pengohet nga portieri. Për gjyqtarin është 11 metërsh, që shndërrohet në gol nga Sakaj.

Tifozët e Buducnost të dëshpëruar godasin me sende në fushën e lojës dhe Xhafaj xhiron golin e tretë me celularin e hedhur prej tyre. Fitore e rëndësishme e Flamurtarit në Malin e zi, që kujton kualifikimin historic në 1987, kur vlonjatët nxirrnin jashtë loje Partizanin e Beogradit. E tashmë raundi i dytë është fare pranë. 

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›