E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina mohon akuzat e Beogradit për trafikim organesh

“Shqiptarët e Kosovës kanë bërë luftë të drejtë. Ne kemi bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës e me drejtësinë vendore dhe është konstatuar shpesh herë që spekulime të tilla kanë dalë vetëm spekulime. Unë jam i bindur se edhe në këtë rast do të jetë e njëjta gjë”, theksoi Kuçi për Zërin e Amerikës.

Sipas Kuçit, këto akuza nuk mund të ndikojnë në raportet ndërshtetërore e as në zhvillimet në rajon.

“Qeveria e Kosovës e populli i Kosovës ka qenë gjithmonë bashkëpunues me mekanizmat ndërkombëtare, por gjithmonë të kujdesshëm që spekulime të tilla të mos e dëmtojnë imazhin e vendit”, u shpreh zëvendëskryeministri i Kosovës.

Këshilli i Evropës ka filluar një hetim lidhur me këto akuza serbe, ndërsa Policia e Kosovës po mban në paraburgim tre serbë të dyshuar, të cilët akuzohen se kanë dhënë shuma të mëdha parash për të siguruar dëshmi të rreme për gjoja transplantim të organeve njerëzore gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Milutin Radanoviç, Predrag Zhelkoviç, shtetas te Serbisë, dhe Igor Juçinaç shtetas i Kosovës, njëkohësisht edhe ish-pjesëtar i policisë se Kosovës janë tre të dyshuarit e arrestuar më datën 11 qershor të këtij viti. Policia e Kosovës është në kërkim të personit të katërt të dyshuar i cili po kështu dyshohet të jetë i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Mediat në Beograd bëjnë të ditur se zyrtarët serbë i kanë dorëzuar emisarit të Bashkimit Evropian provat, të cilat vërtetojnë se ushtarët shqiptarë në Kosovë kanë bërë tregti me organet e serbëve të rrëmbyer.
 
Delegacioni i Këshillit të Evropës për hetime në lidhje me akuzat për trafikim organesh gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë po udhëhiqet nga senatori zviceran, Dik Marti i cili vizitoi Serbinë, ndërsa pritet që të vijë edhe në Shqipëri.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›