Prishtina në krizë
Edhe pse ishte në krye të renditjes tabelore gjatë dimrit, Prishtina vendosi ta shkarkojë Ramiz Krasniqin për ta angazhuar trajnerin gjerman Wolfgang Jerat, me synimin që të bëhet ekip evropian.
Mirëpo, jo gjithçka po shkon ashtu siç ishte planifikuar. Nëse e bëjmë një krahasim me Prishtinën e Ramiz Krasniqit që e pamë në vjeshtë, e cila dominonte absolutisht ndaj skuadrave tjera, atëherë dallimi me Prishtinën e Wolfgang Jerat është si nata me ditë, si nga rezultatet, ashtu edhe nga cilësia.
Por, jo vetëm kaq. Edhe atmosfera në kampin e Jeratit as për së afërmi nuk është me atë siç ishte në kohën e Ramiz Krasniqit. Kështu thonë vetë futbollistët. E për këtë ata fajësojnë trajnerin e tyre, Wolfgang Jerat.
Sipas tyre, krejt kjo po ndodh shkaku i ‘xhelozisë’ së gjermanit ndaj ish trajnerit Krasniqi. Ky i fundit ishte bërë drejtor sportiv i prishtinasve me ardhjen e Jeratit në krye të shtabit teknik.
Por, shpejt Krasniqi u shkarkua edhe nga ajo pozitë. Këtë kryesia e klubit thuhej se e kishte bërë me kërkesën e gjermanit, i cili kinse ishte frikësuar se Krasniqi do të mund “t’ia punonte të keqen pas shpine”, duke e shfrytëzuar ndikimin e tij te lojtarët.
E tani disa futbollistë po ankohen se Jerat nuk po u zë besë nga frika se ata nuk do ta japin maksimumin në fushë, në shenjë pakënaqësie për largimin e trajnerit prishtinas.
“S’ka atmosferë në ekip. Unë veç jam suspenduar nga Jerat, por edhe shumë tjerë janë të dëshpëruar. Njëra prej arsyeve kryesore është se Jerat po frikësohet se unë dhe disa lojtarë tjerë nuk jemi të përkushtuar për ta ndihmuar klubin shkaku i Ramiz Krasniqit. Ai nëpërmjet meje i hedh ‘kungja’ edhe mbrojtësit Besnik Krasniqit, djalit të vëllait të Ramiz Krasniqit. Por, në dallim prej meje, atë po e fut në lojë pasi s’po ka opsion tjetër”, deklaroi Qëndrim Sejdiu për Express, i cili pati vesh fanellën bardh e kaltër me insistimin e Ramiz Krasniqit.
“Përndryshe, shumë nga ne lojtarët, që ishim titullarë në ekipin e Ramiz Krasniqit, na ka lënë jashtë ekipit të parë. Ai po bën eksperimente në ekip dhe nuk po e di se Prishtina nuk është klub i eksperimenteve, por që kërkon trofe, sidomos tani në 90 vjetorin e saj. Paragjykimet e Jerat nuk ekzistojnë. Për mua gjithë trajnerët janë të njëjtë, e fanella e klubit është më e rëndësishmja. Ai vazhdimisht më ka provokuar për shumëçka, derisasa e bëri të veten që të suspendohem”, theksoi Sejdiu.
Edhe disa lojtarë tjerë, në kushte anonimiteti, janë ankuar se Jerat nuk po u beson vetëm pse e kaluara e tyre ishte shumë e lidhur me Ramiz Krasniqin. Sipas tyre, kjo ka bërë që Prishtina të pësojë rënie në shumë aspekte.
Muçiqi: Jerat dhe futbollistët do të japin përgjegjësi
Në anën tjetër, nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi mohon që atmosfera në ekip të jetë përkeqësuar. Por, ai paralajmëroi trajnerin Wolfgang Jerat dhe futbollistët të jenë të kujdesshëm në luftën për titullin e kampionit, sepse në të kundërtën mund të gjobiten.
“Atmosfera është shumë e mirë. Trajneri u ka jep rast gjithë futbollistëve. Jemi të kënaqur me punën e Jeratit, por jo për t’u çmendur së gëzuari. Në çdo klub të madh evropian është kështu. Ne kemi besim te Jerat dhe futbollistët e tij, të cilët me punë dhe në mënyrë të ndershme besoj se do të na sjellin trofe”, tha Muçiqi për Express.
“Jerat dhe lojtarët e dinë se për 90 vjetorin e themelimit të klubit e kërkojmë titullin. Rregullorja e klubit i dënon ashpër ata nëse nuk e arrijnë objektivin, por edhe do të shpërblehen nëse fitojnë. Nuk do të kursehet as Jerat as lojtarët as menaxhmenti e as unë nëse dështojmë. Këtë e dinë të gjithë. Por, ne jemi optimistë se ndershëm do të triumfojmë”, theksoi Muçiqi.
Pas 20 xhirove të kaluara në Superligë, Prishtina i prin renditjes tabelore me 38 pikë të tubuara, tri më pak sesa Trepça ’89, e cila pozicionohet në vendin e dytë.