UEFA me Blatterin

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) ka dhënë “përkrahjen unanime” të tij për Sepp Blatterin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s.
Madje, ky komitet ka ftuar 53 asociacionet anëtare të tij të përkrahin Blatterin. Në kërkim të mandatit të tij të katërt si president, 75 vjeçari do të ketë kundërkandidat presidentin e Konfederatës Aziatike të Futbollit, Mohamed bin Hammam.
Zgjedhjet e FIFA-s do të mbahen më 1 qershor në Zurich, Zvicër. Michel Platini, i cili shërbeu si ndihmësi kryesor i Blatterit para se të zgjidhet president i UEFA-s më 2007, pritet të përkrahë zviceranin, i cili u zotua se nëse rizgjidhet, do të tërhiqet më 2015.
“Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur të jep përkrahjen e tij të plotë për Joseph Blatterin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s dhe fuqishëm u rekomandon të gjitha asociacioneve anëtare të UEFA-s të bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në komunikatën e organizatës.
President i FIFA-s nga 1998, Blatter është zotuar të bëjë reforma të gjera nëse rizgjidhet, përfshirë ndryshimet në përcaktimin e nikoqirëve për kampionatet e ardhshme botërore.
Ai po ashtu ka propozuar formimin e një komiteti mbikëqyrës në punën e trupit udhëheqës të futbollit botëror, duke shtuar se ai e di se kë kërkon për ta udhëhequr atë, por pa e përmendur e tij.
Sa i përket përcaktimit se ku do të zhvillohen botërorët e ardhshëm, Blatter konsideron lejimin e 208 asociacioneve anëtare të FIFA-s të votojnë për shtetet nikoqire, një zgjidhje e ngjashme me mënyrën si Komiteti Olimpik Ndërkombëtar zgjedh nikoqirin e Lojërave Olimpike.
UEFA është një organ i rëndësishëm brenda strukturës së FIFA-s dhe mban 53 prej 208 votave që do të vendosin presidentin e ardhshëm.
FIFA ishte kritikuar për procesin e saj votues që Komiteti Ekzekutiv prej 24 anëtarëve - më pas u reduktua në 22 pasi dy anëtarë ishin suspenduar për korrupsion – i dhuroi Rusisë Kampionatin botëror 2018 dhe zgjodhi Katarin si nikoqir të garës 2022.
FIFA kishte caktuar afat deri më 1 prill për nominimet e kandidatëve, ndërsa fituesit do t’i nevojiten dy të tretat e shumicës së votave nga raundi i parë, ose shumica në të dytin.
Me total prej 208 votave, Blatterit i nevojiten 138 për të fituar në raundin e parë dhe me përkrahjen e garantuar nga Amerika e Jugut (10 vota), Oqeania (11) dhe pritjen se do të merr shumicën e 35 votave nga Concacaf-i, dhe së fundmi përkrahjen e UEFA-s, Blatter është favorit absolut.
61 vjeçari Bin Hammam është sfiduesi i parë i Blatterit, pas presidentit të Konfederatës Afrikane të Futbollit, Issa Hayatou, i cili u paraqit kundër tij dhe u mposht me rezultat 136-56 më 2002.